Koncepti i hipergamisë është bërë si një nga justifikimet më të para në një romancë dhe përdoret si një shpjegim për çdo vështirësi mes një çifti.
Për shembull, nëse gruaja tradhton, fajin e ka hipergamia. Nëse një burrë nuk ka sukses në jetën dashurore, fajin e ka sërish hipergamia.
Nëse gratë kanë pritshmëri, fajin përsëri e ka hipergamia.
Por çfarë është në vetvete hipergamia?
Termi përkufizon tendencën për të zgjedhur një partner me status më të lartë shoqëror apo ekonomik, qoftë me vetëdije apo pa vetëdije.
Historikisht, ky fenomen është shoqëruar kryesisht me gratë dhe aftësinë e tyre të kufizuar për të arritur pavarësi ekonomike. Në kohët kur gratë nuk kishin qasje në punë ose nuk ishin të pavarura, martesa ishte në thelb mënyra kryesore e përparimit shoqëror dhe ekonomik. Zgjedhja e një partneri “të fortë” ose të pasur nuk ishte domosdoshmërisht çështje preference, por shpesh një çështje mbijetese.
Si shembuj mund të sjellim Hirushen, Bukuroshja e Fjetur, apo dhe seritë “Bridgerton”, ku theksohet se sa e rëndësishme ishte për një vajzë të siguronte një burrë të mirë për të ndihmuar familjen e saj të ngjitej në shkallët shoqërore.
Nëse do e sillnim më pranë realitetit shqiptar, mund të themi se hipergamia është e pranishme në rastet e mblesërisë, si një mënyrë që vajza të bëhet nuse në një familje të pasur.
Por, interpretimi i hipergamisë është shtrembëruar.
Në shumë rrëfime online, hipergamia paraqitet si një normë, e cila argumenton se gratë zgjedhin një partner me karakteristika të caktuara të jashtme, status shoqëror dhe sukses financiar.
Kjo qasje injoron plotësisht kompleksitetin e marrëdhënieve njerëzore. Zgjedhjet e partnerëve nuk përcaktohen vetëm nga të ardhurat ose pamja, por nga një sërë faktorësh që përfshijnë lidhjen emocionale, komunikimin, vlerat dhe përputhshmërinë.
Në shoqërinë moderne, ku gratë tani kanë qasje në arsim dhe janë të pavarura financiarisht, nevoja për të avancuar përmes martesës është pothuajse e zhdukur. Në vend të një partneri të pasur, gratë po kërkojnë pjekuri emocionale, stabilitet, respekt dhe një burrë me vlera dhe qëllime të përbashkëta në një marrëdhënie.
Siguria financiare mund të mbetet një faktor, por nuk është faktori përcaktues ose i vetmi, duke e kthyer kështu hipergaminë në një “mit” të kohëve moderne. Në vend që të inkurajojë vetëdijen dhe përmirësimin, ajo ia kalon fajin një “norme” të përgjithësuar për sjelljen e grave./mxh
