Martesa e fshehtë që ndryshoi Anglinë, Henri VIII dhe hija tragjike e Ana Bolenës
Përgatiti: Leonard Veizi
Në janar të vitit 1533, në një ceremoni të fshehtë dhe të ngarkuar me tension politik, Henry VIII i Anglisë u martua me gruan e tij të dytë, Ana Bolen (Anne Boleyn). Akti, i kryer pa miratimin e Papës dhe ende pa u shpallur zyrtarisht divorci nga Katerina e Aragonës, ishte më shumë se një histori pasioni: ishte një akt sfide që do të ndryshonte përgjithmonë historinë fetare dhe politike të Anglisë…,,,Henry VIII, në vitet e para të sundimit, përshkruhej nga kronikanët si një mbret i hijshëm, karizmatik, i arsimuar dhe i matur. Ai ishte madje nderuar nga Papa me titullin “Mbrojtës i Besimit”. Por pasioni obsesiv për Ana Boleyn dhe dëshira e ethshme për një trashëgimtar mashkull do ta shndërronin gradualisht në një sundimtar të ashpër, egoist dhe paranojak, i aftë të rrëzonte institucione shekullore për një grua – dhe më pas ta flijonte po atë grua për pushtetin.
Gruaja që u bë kërcënim
Ana Bolen nuk ishte një zonjë e zakonshme e oborrit. E arsimuar në Francë, elegante, e zgjuar dhe me mendim të pavarur, ajo refuzoi të ishte thjesht dashnore mbretërore. Kërkoi kurorën – dhe e mori. Me këtë akt, ajo u shndërrua në figurinë qendrore të ndarjes së Kishës së Anglisë nga Roma, duke hapur rrugën për Reformën Angleze dhe lindjen e Kishës Anglikane, me mbretin si krye suprem.
Por ngritja e saj ishte po aq e shpejtë sa edhe rënia. Ana nuk i dha Henryi-t trashëgimtarin mashkull të shumëpritur, por një vajzë, Elizabet-ën, e cila më vonë do të bëhej një nga monarket më të mëdha të historisë angleze. Oborri u mbush me intriga, armiq dhe thashetheme. Në vitin 1536, vetëm tre vjet pas martesës, Ana Bolen u arrestua, u gjykua në një proces të montuar dhe u ekzekutua, duke u shndërruar në simbol të tragjedisë së pushtetit absolut.
Lindja e një konspiracioni shqiptar
Përtej historisë zyrtare, figura e Ana Bolen-ës ka prodhuar një mori teorish alternative, ndër to edhe një nga më intriguese për publikun shqiptar: hipoteza e origjinës së saj shqiptare.
Një nga elementët që ka ushqyer këtë teori është përkimi i mbiemrit Boleyn (apo Bullen) me emrin e fshatit Bolen, në rrethin e Vlorës. Ky detaj toponimik ka bërë që disa studiues dhe kërkues të pavarur të ngrenë pyetjen nëse mbiemri i familjes së Ana Bolen-ës mund të lidhet me një vendbanim të lashtë shqiptar, duke supozuar shpërngulje të hershme arbërore drejt Evropës Perëndimore.
Në këtë linjë arsyetimi, argumentohet se gjatë shekujve XV–XVI, kur shpërnguljet e arbërve pas pushtimeve osmane ishin të shpeshta, familje të tëra u vendosën në Itali, Francë, madje edhe më në veri. Në këto lëvizje, emrat e vendeve dhe fisit shpesh përshtateshin fonetikisht, duke kaluar nga “Bolen” në “Boleyn”, në një kohë kur drejtshkrimi nuk ishte i standardizuar.
Teoria shoqërohet edhe me elementë të tjerë interpretues: përshkrimet e Ana Bolen-ës si grua me tipare mesdhetare, temperamenti i fortë, sfidues dhe fakti që familja e saj u ngjit relativisht shpejt në hierarkinë angleze – një ngritje që disa e kanë parë si shenjë të një prejardhjeje të ardhur, jo rrënjësisht angleze.
Historia përballë mitit
Historianët akademikë mbeten të prerë: nuk ka prova dokumentare që ta lidhin Ana Boleyn-in me Shqipërinë. Versioni më i pranuar është se mbiemri Bolen lidhet me Boulogne-sur-Mer në Francë, prej nga familja e saj mendohet të ketë marrë emrin përmes lidhjeve tregtare dhe diplomatike.
Megjithatë, fakti që Bolen i Vlorës hyn në këtë narrativë nuk është i parëndësishëm. Ai tregon se si toponimia, historia dhe dëshira identitare ndërthuren për të krijuar mite moderne. Në këtë kuptim, origjina shqiptare e Ana Bolen-ës nuk është thjesht një pretendim gjenealogjik, por një rrëfim kulturor, që synon të gjejë gjurmë shqiptare në nyjet e mëdha të historisë evropiane.
Epilogu
Henryi VIII do të kishte gjithsej gjashtë gra dhe një mbretëri të tronditur nga frika dhe dyshimi. Ana Bolen, ndonëse e mposhtur dhe e prerë në lule të rinisë, mbijetoi në histori. Ajo ishte gruaja që ndryshoi fatin e Anglisë dhe, në mënyrë paradoksale, nëna e epokës elizabetiane.
Midis historisë së dokumentuar dhe legjendës ballkanike, Ana Bolen mbetet një figurë që vazhdon të ngacmojë imagjinatën – një grua që pagoi me kokë çmimin e pushtetit, dhe një emër që lidh, qoftë edhe përmes mitit, oborrin e Tudorëve me një fshat të vogël në jug të Shqipërisë.
