Nga Lutfi Dervishi
Të vjetra apo të reja?
Këtë pyetje e dëgjon çdo ditë. Nuk bëhet fjalë për mobilie apo makina, por për paratë.
Sot bëhen plot 61 vjet nga 16 gushti i vitit 1965, dita kur Shqipëria nisi reformën monetare që i hoqi një zero lekut me raportin: 10 lekë të vjetra = 1 lek i ri. Gjashtëdhjetë e një vjet më vonë, ne vazhdojmë të bëjmë llogaritë me një monedhë që nuk ekziston më.
“E kam rrogën një milion”, mburret tjetri, kur në fakt merr 100 mijë lekë. Një drekë kushton 10 mijë lekë, por ne i fshijmë djersët sepse me gojë i paguajmë “100 mijë”. Kemi arritur diçka të rrallë: jemi dhjetë herë më të pasur kur flasim, sesa kur paguajmë.
Dhe pastaj vjen rasti i një prej 12 milionë turistëve të huaj…
Ai sheh në kartëmonedhë numrin 1,000. Ne i themi: “Dhjetë mijë.” Ai vendos syzet për siguri dhe sheh sërish kartëmonedhën. “Ten thousand?” “Yes.” “But it says one thousand!” “Yes, but we call it ten thousand.”
Në këtë pikë nuk kemi më problem aritmetik, por metafizik. Shteti ua hoqi zeron parave 61 vite më parë, por mileti e mbajti në kokë.
Gjëja më e çuditshme? Edhe ata që kanë lindur 20 apo 30 vjet pas reformës, e që nuk kanë parë kurrë me sy një “lek të vjetër”, vazhdojnë të flasin me të. Është e vetmja monedhë që trashëgohet pa ekzistuar fare: gjyshi ia mësoi babait, babai djalit, dhe djali sot i thotë fëmijës se 1,000 lekë bëjnë “10 mijë”.
Banka e Shqipërisë tentoi të ndërhynte edhe me fushata ndërgjegjësimi: “As i vjetër e as i ri, jam thjesht Lek!”, duke pranuar se ky zakon po shkaktonte konfuzion te turistët dhe gabime në llogaritje.
Por leku “i vjetër” ka një efekt psikologjik magjik: i bën gjërat më të mëdha se ç’jane. Një apartament prej 150 mijë eurosh, i kthyer në lekë “të vjetra”, hyn menjëherë në territorin e qindra milionave .
Këtë truk nuk e përdor vetëm populli, por me mjeshtëri edhe politika. Qeveritarët e kanë kthyer dikotominë lek i vjetër / lek i ri në art me me zgjedhje të lirë: kur flasin për bonus pensioni, përdorin me bujari lekun e vjetër se helbete “50 mijë lekë” tingëllojnë si pasuri e madhe te pensionisti. Por kur duhet të arsyetojnë rritjen e çmimeve, taksave apo tarifave, kalojnë menjëherë te leku i ri, ku “200 lekë” duken si një thërmijë e papërfillshme.
Së fundmi kemi edhe sagën e Euros. Derisa ekspertët e politikanët debatojnë se pse po bie Euroja (turizmi, remitancat, apo “ekonomia gri me njolla të zeza”), ndoshta shpjegimi është më i thjeshtë: Euroja ka kuptuar se përballë saj nuk ka vetëm një lek, por dhjetë. Dhe është trembur…
Si një vend që shquhet për shumë reforma e pak punë, reforma e lekut mbetet më jetëgjata në historinë tonë: shteti ia hoqi zeron nga letra, por ne ende nuk ia kemi hequr nga mendja./kb
