Më 25 janar 1981, drejtësia e re kineze shpalli një nga vendimet më simbolike të pas-Maoizmit: Jiang Qing, e veja e Mao Ce Dunit, u dënua me vdekje për “krime kundër-revolucionare” të kryera gjatë viteve të errëta të Revolucionit Kulturor. Ishte fundi politik dhe moral i një gruaje që kishte kaluar nga skena e teatrit në qendër të pushtetit absolut.
Jiang Qing nuk kishte lindur për politikë. Ajo nisi jetën publike si aktore teatri dhe kinemaje, një figurë e njohur në rrethet artistike të Kinës komuniste të viteve ’30. Martesa e saj me Mao Ce Dunin në vitin 1939 u shoqërua me kundërshti dhe zëra kritikë, jo vetëm për shkak të ambicieve të saj, por edhe sepse Mao ishte ende i lidhur emocionalisht me të kaluarën e tij. Gruaja e tij e parë, Yang Kaihui, ishte vrarë nga nacionalistët gjatë Luftës Civile Kineze, ndërsa e dyta, Ho Zizhen, një veterane e Marshimit të Gjatë, u largua nga Mao në rrethana të dhimbshme, teksa kurohej në një spital në Moskë.
Pas martesës, Jiang Qing u urdhërua të qëndronte larg politikës. Për vite me radhë ajo respektoi këtë kufi, duke qëndruar në prapaskenë. Por në fillim të viteve 1960, ajo u rikthye në skenë, këtë herë jo si aktore, por si kritike e ashpër e artit tradicional kinez, të cilin e quante të ndotur nga ndikime borgjeze dhe kundërrevolucionare.
Në vitin 1966, Mao Ce Duni i hapi asaj dyert e pushtetit. Jiang Qing u emërua zëvendësdrejtoresha e parë e Revolucionit Kulturor, duke marrë kontroll pothuajse të plotë mbi jetën kulturore dhe intelektuale të Kinës. Ajo u shqua për aftësinë për të përdorur propagandën, median dhe energjinë e të rinjve radikalë – Gardistët e Kuqe – në shërbim të një revolucioni që shpejt u shndërrua në kaos.
Revolucioni Kulturor, i menduar si një përpjekje për të “pastruar” shoqërinë kineze, u shoqërua me terror, përndjekje dhe spastrime masive. Dhjetëra mijëra njerëz u vranë, ndërsa miliona të tjerë u internuan, u poshtëruan publikisht ose u shkatërruan shpirtërisht. Emri i Jiang Qing u lidh pazgjidhshmërisht me këtë periudhë dhune dhe frike.
Në fund të viteve ’60, lëvizja filloi të zbehej dhe figura e saj u pa gjithnjë e më shumë me mosbesim. Pas vdekjes së Mao Ce Dunit në vitin 1976, Jiang Qing mbeti e pambrojtur. Ajo dhe tre figura të tjera radikale të epokës u etiketuan si “Banda e të Katërve”, fajtorët simbolikë të gjithë plagëve të Revolucionit Kulturor.
Jiang u arrestua dhe në vitin 1977 u përjashtua nga Partia Komuniste Kineze. Dënimi me vdekje i shpallur në vitin 1981 ishte kulmi i rënies së saj. Dy vjet më vonë, më 25 janar 1983, autoritetet kineze e zëvendësuan këtë dënim me burgim të përjetshëm, një akt që u interpretua si përpjekje për të mbyllur kapitullin pa e kthyer atë në martire.
Jiang Qing vdiq në burg, në rrethana që sipas burimeve zyrtare lidhen me vetëvrasje. Ajo u largua nga historia ashtu siç kishte jetuar pjesën më të madhe të saj: e izoluar, e kontestuar dhe e mbuluar nga hija e një burri që kishte formësuar fatin e një kombi të tërë.
Historia e saj mbetet një paralajmërim i heshtur për mënyrën se si pushteti absolut mund ta shndërrojë artin në ideologji dhe njeriun në instrument të dhunës
Përgatiti: L.Veizi
