Nuk është hera e parë që Pedro Sánchez merr një pauzë për të reflektuar. Këtë e kishte bërë edhe në prill të vitit 2024, pas lajmit për nisjen e hetimeve ndaj bashkëshortes së tij, Begoña Gómez, nën dyshimet për korrupsion. Në atë kohë, ai u drejtoi spanjollëve një letër të hapur, të titulluar “Letër qytetarëve”, për t’i njoftuar se kishte nevojë të ndalej për pesë ditë dhe të mendonte nëse duhej të jepte apo jo dorëheqjen.
Në fund, Sánchez vendosi të mos largohej dhe që prej atij momenti nisi periudha më e trazuar e mandatit të tij në krye të qeverisë. Një kapitull që, në “manualin” e tij personal të rezistencës – siç titullohet edhe libri që ai botoi në vitin 2018 – mund të quhej “mbijetesa”.
Këto hetime kanë çuar tashmë në dërgimin për gjykim të bashkëshortes së kryeministrit, Begoña Gómez, e cila së shpejti do të duhet të mbrojë pafajësinë e saj përpara një jurie popullore. Por kjo është vetëm një prej çështjeve të shumta të korrupsionit që kanë prekur drejtpërdrejt ose tërthorazi rrethin e kryeministrit spanjoll. Në gjyq ka përfunduar edhe vëllai i tij, David, ndërsa disa prej skandaleve më të bujshme kanë përfshirë figura të Partisë Socialiste.
Mes tyre janë ish-sekretari i partisë Santos Cerdán dhe ish-ministri e drejtuesi i PSOE-së, José Luis Ábalos, deri te hetimi ku përmendet edhe ish-kryeministri José Luis Rodríguez. Shumë prej këtyre rasteve konsiderohen nga mbështetësit e Sánchez si raste të dyshuara të “lawfare”, pra përdorimi i sistemit gjyqësor si instrument i përplasjes politike. Për të gjitha këto çështje, linja e Sánchez ka mbetur e njëjtë: largimin e “mollëve të kalbura” kur përgjegjësitë provohen dhe mbrojtjen e pafajësisë në rastet që konsiderohen të instrumentalizuara politikisht.
Gjatë verës erdhi më pas edhe kriza e Ceutës, kur më shumë se 70 mijë emigrantë mbërritën nga Maroku brenda vetëm pak orësh. Të paktën 140 persona humbën jetën, ndërsa mijëra të tjerë vazhdojnë të ndodhen në enklavën spanjolle dhe e ardhmja e tyre është kthyer në objekt të një debati të fortë politik, të nxitur veçanërisht nga e djathta, e cila akuzon qeverinë se kishte marrë paralajmërime për atë që do të ndodhte.
Vetë Sánchez vizitoi Ceutën në kulmin e emergjencës, për t’u nisur më pas drejt Lanzarotes për pushime, ndërsa në rrjetet sociale publikoi edhe listën e tij muzikore të verës. Kundërshtarët politikë nuk ia kanë falur këtë. Nga Partia Popullore (PP) dhe Vox kanë ardhur akuza dhe dyshime për marrëdhënie jotransparente me Marokun, ndërsa dorëheqja e tij është kërkuar disa herë.
Kritika shkaktoi gjithashtu moratoriumi i miratuar në janar për rregullimin e statusit të 500 mijë emigrantëve. Në atë kohë kundër Sánchez u pozicionuan edhe Elon Musk dhe Donald Trump. Me presidentin amerikan, kryeministri progresist spanjoll është përplasur disa herë, veçanërisht gjatë luftës në Iran, kur Madridi i mohoi Uashingtonit përdorimin e bazave në Spanjë.
Por përplasjet nuk janë kufizuar vetëm me Trump. Sánchez është përballur edhe me sulme të shumta nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, pasi qeveria spanjolle miratoi një paketë masash kundër Izraelit në shenjë proteste ndaj asaj që Sánchez e ka cilësuar si një gjenocid në zhvillim në Gaza.
Kjo qasje ka prodhuar një efekt të dyfishtë. Ndërsa nga njëra anë Sánchez është përplasur dhe ka krijuar armiqësi me drejtuesit e së djathtës nacionaliste, nga ana tjetër ka fituar mbështetje në rritje në qarqet progresiste. Për një pjesë të këtij spektri politik, kryeministri spanjoll shihet si një figurë e rezistencës politike dhe si një prej mbështetësve kryesorë të kauzës palestineze, në një Europë që sipas tyre po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt së djathtës ekstreme.
Pavarësisht nëse pëlqehet apo kundërshtohet, Sánchez mund të mbështetet edhe te rezultatet ekonomike të Spanjës gjatë tetë viteve të drejtimit të tij. Vendi është shndërruar në një prej ekonomive më dinamike të Bashkimit Europian, me një parashikim për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2026 rreth 2%. Për krahasim, rritja e parashikuar për Italinë është rreth 0.5%.
Por tashmë është emergjenca e strehimit, një prej çështjeve sociale mbi të cilat Sánchez ka ndërtuar një pjesë të rëndësishme të programit të tij politik, ajo që rrezikon të kthehet në një sfidë të madhe për qeverinë e tij.
Sánchez mund të përpiqet të shkruajë një tjetër kapitull të historisë së tij politike dhe të “rezistencës”, por këtë herë rruga për ta çuar atë deri në fund duket shumë më e vështirë./k.m
