Sipas një hipoteze të re, kupa e Ain Samiya mund të jetë përfaqësimi më i vjetër vizual i mitit të krijimit të universit nga kaosi. Por disa ekspertë shprehen skeptikë.
Sipas një interpretimi të ri, dekorimet mbi një kupë të lashtë argjendi të quajtur ˁAin Samiya nuk përshkruajnë mitin babilonas të krijimit Enūma Eliš, siç mendohej më parë, por krijimin e universit primordial nga kaosi. Teoria e re, e detajuar në një studim të botuar në Journal of The Ancient Near Eastern Society – Ex Oriente Lux, është pritur me shumë rezerva nga ekspertët, shumë prej të cilëve mbeten të pakënaqur me këtë interpretim.
Gjarpër dhe kimera
Kupa Ain Samiya u gjet 55 vjet më parë në Bregun Perëndimor dhe daton rreth 4.300 vjet më parë. Ajo është rreth tetë centimetra e lartë dhe është zbukuruar me dy skena: e para paraqet një gjarpër të madh përballë një kimere që ngrihet mbi një rreth të vogël me formë luleje; e dyta paraqet po të njëjtin gjarpër të shtrirë në tokë nën një rreth shumë më të madh me formë luleje, ku shfaqet një fytyrë e qeshur.
Rrethi i madh ndoshta mbahet nga dy figura plotësisht njerëzore – por në kupën e dëmtuar shihet vetëm njëra.
Mitet babilonase
Në vitet 1970, teoria më e pranuar sugjeronte se këto skena ishin një përshkrim i mitit babilonas Enūma Eliš, i cili rrëfen fitoren e perëndisë Marduk ndaj kaosit primordial të përfaqësuar nga përbindëshi Tiamat. Megjithatë, studiues të tjerë kanë theksuar se skena nuk paraqet një betejë dhe se kupa është rreth 1.000 vjet më e hershme sesa teksti që përmban Enūma Eliš.
Krijimi i Universit
Sipas koordinatorit të kërkimit, Eberhard Zangger, dhe kolegëve të tij, skenat përfaqësojnë formimin e botës dhe të kozmosit. Skena e parë përfaqëson kaosin: kimera si një hyjni e dobët, e përzier me kafshët; rrethi i vogël-lule si një diell i zbehtë; dhe gjarpri që sundon mbi këtë kaos. Në skenën e dytë, perënditë tashmë janë ndarë nga kafshët, rendi ka dalë nga kaosi dhe gjarpri i mundur shtrihet nën diell.
Mendime të tjera ekspertësh
Nëse hipoteza e Zangger dhe ekipit të tij është e saktë, kupa do të përfaqësonte përshkrimin më të hershëm vizual të një miti të krijimit. Por disa ekspertë shprehen skeptikë. Jan Lisman, një studiues i pavarur, argumenton se skenat mund të pasqyrojnë lëvizjen e përditshme të diellit, por “sigurisht jo origjinën apo kaosin”.
Edhe studiuesi biblik Mark Smith i Seminarit Teologjik të Princetonit, i intervistuar nga Smithsonian Magazine, shpreh dyshime. Sipas tij, kupa mund të përfaqësojë rrëfime të tjera, si Cikli i Baalit – një sërë mitesh që përshkruajnë konfliktet që përfshijnë perëndinë e stuhisë, Baalin.
“Besoj se është e drejtë të mos supozojmë se kemi të bëjmë me një mit krijimi babilonas, por nuk është fare e qartë nëse është një mit krijimi në përgjithësi”, përfundon ai.
Burimi: focus.it / nga Chiara Guzzonato/ Përgatiti për botim: L. Veizi
