Përgatiti: Leonard Veizi
Më 10 maj të vitit 2005, sheshi “Freedom” në Tbilisi ishte mbushur me mijëra njerëz. Flamuj amerikanë dhe gjeorgjianë valëviteshin mbi turmën që kishte dalë për të pritur Presidentin e Shteteve të Bashkuara, George W. Bush. Vizita e tij konsiderohej historike. Ishte një çast simbolik për një vend të vogël të Kaukazit që kërkonte të largohej nga hija e Rusisë dhe të afrohej me Perëndimin.
Në podium, përkrah Bushit, qëndronte presidenti i ri gjeorgjian, Mikheil Saakashvili, njeriu që kishte ardhur në pushtet pas Revolucionit të Trëndafilave. Atmosfera ishte festive. Banda frymore luante muzikë patriotike, ndërsa truprojat amerikane dhe forcat speciale gjeorgjiane kontrollonin çdo lëvizje të turmës.
Por mes njerëzve ndodhej edhe një burrë 27-vjeçar, me fytyrë të zakonshme dhe me një plan vdekjeprurës në mendje. Quhej Vladimir Arutyunian.
Ai kishte ardhur në shesh me një granatë dore sovjetike RGD-5, të mbështjellë me një shami të kuqe që të mos binte në sy. Ndërsa Bush po fliste për lirinë, demokracinë dhe miqësinë mes dy vendeve, Arutyunian iu afrua barrierës së sigurisë. Distanca mes tij dhe tribunës ishte rreth 20 metra.
Në një moment, ai ngriti krahun dhe hodhi granatën drejt podiumit presidencial.
Objekti metalik përshkoi ajrin mbi kokat e njerëzve dhe ra pranë tribunës, shumë afër vendit ku ndodheshin Bush dhe Saakashvili. Për disa sekonda askush nuk e kuptoi çfarë kishte ndodhur. Granata qëndroi aty, e ftohtë dhe e heshtur. Por nuk shpërtheu.
Më vonë hetuesit zbuluan se shamia e mbështjellë rreth granatës kishte penguar levën e sigurisë të çlirohej plotësisht. Mekanizmi nuk u aktivizua dhe eksplozivi mbeti i pashpërthyer. Ishte një defekt i vogël mekanik e cila nuk bëri që rrjedha e historisë të ndryshonte e të mos dihej se si do të përcillej më tej. .
Nëse granata do të kishte shpërthyer, pasojat mund të kishin qenë katastrofike. Në atë podium ndodheshin jo vetëm presidenti amerikan, por edhe kreu i shtetit gjeorgjian dhe dhjetëra zyrtarë të lartë. Një atentat i suksesshëm në mes të një tubimi publik do të kishte tronditur botën.
Shërbimet sekrete amerikane dhe policia gjeorgjiane nisën menjëherë hetimet. Fillimisht askush nuk e identifikoi autorin. Pamjet filmike u analizuan për javë të tëra, derisa fytyra e Arutyunianit u dallua mes turmës.
Kur policia shkoi për ta arrestuar, ai rezistoi me armë. Gjatë përplasjes vrau një polic gjeorgjian dhe u plagos vetë. Pas arrestimit, ai pranoi planin për të vrarë Bushin dhe deklaroi se urrente praninë amerikane në Gjeorgji.
Gjykata e dënoi me burgim të përjetshëm.
Ndërsa historia vazhdoi rrjedhën e saj, ajo ditë mbeti si një nga episodet më të frikshme të presidencës së George W. Bush: një moment kur vdekja ndodhej vetëm pak metra larg, por u ndal nga një copë e vogël pëlhure dhe një mekanizëm që nuk funksionoi.
