Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë këtë të shtunë në koncertin me titull “Morricone ishte im atë”, një mbrëmje artistike kushtuar kujtimit dhe trashëgimisë së kompozitorit legjendar Ennio Morricone, me rastin e Ditës së Europës.
Eventi drejtohet nga Andrea Morricone, i biri i maestro-s së njohur, dhe do të sjellë për publikun një atmosferë që ndërthur muzikën, emocionin dhe kujtimin e një prej kompozitorëve më të mëdhenj të kinemasë botërore.
Pak para nisjes së koncertit, kryeministri Rama ndau edhe një moment bashkëbisedimi me të birin e kompozitorit legjendar.
Një nga organizatoret e koncertit i drejtohet kryeministrit Edi Rama: “Jemi shumë mirë, organizimi është super. Na mungojnë akoma ca lekë.”
“A e morët buxhetin?”, kthehet ai.
“Nuk mjafton, do të jetë një super skenë. Është skena më e madhe që është bërë ndonjëherë në Shqipëri”, përgjigjet ajo.
Rama i përkthen bisedën Andrea Morricone-s dhe me humor shton: “Tani po e kuptoj pse na donte të dyve këtu”.
Biseda vazhdon:
Morricone: “Po këtu jemi. Jemi sepse Morricone është një talent italian që ia dhuruam botës, sepse kultura është një nga rrugët më të rëndësishme për të arritur unitetin, përmes diversitetit.”
Rama: “Po, por nëse kohët do të ishin ndryshe, madhështia e Morricones do të ishte financuar 100% nga Italia. Kohët kanë ndryshuar megjithatë”.
Morricone: “Kohët kanë evoluar”.
Rama i drejtohet kamerës: “Po, kohët kanë ndryshuar, tani jemi gati për të shijuar diçka të jashtëzakonshme që është sjellë në Tiranë nga Qendra për Hapje dhe Dialog e Kryeministrisë, që ka edhe një veçanti për Ditën e Europës. Është bashkëpunimi ynë me qeverinë italiane përmes ambasadës. Bashkëpunimi i parë në histori kur financat e vëllezërve tanë dhe të motrës time në Romë janë në minorancë. Pra aksionerë minorance në rrugën tonë drejt Europës.”
Ennio Morricone, i ndarë nga jeta më 6 korrik 2020, ishte një kompozitor, orkestrues, dirigjent, trumpetist dhe pianist italian.
Kënga më e famshme e tij është tema kryesore nga filmi “The Good, the Bad and the Ugly” (e vitit 1966). Një tjetër kompozim po aq i famshëm nga i njëjti film është “The Ecstasy of Gold”./kb
