Pas 28,000 vjetësh, një autopsi zbulon fundin e Princit të Rërave të Bardha: një sulm nga ariu. Ja detajet e zbulimit që rishkruajnë historinë.
Liguria është vendi ku ndodhet një nga varrimet më të famshme të Italisë: ai i Princit të Shpellës Arene Candide, në provincën e Savonës. Ai ishte një adoleshent që jetoi 28,000 vjet më parë, gjatë kulturës Gravettiane, periudhë e njohur midis arkeologëve për prodhimin e jashtëzakonshëm artistik. Mbetjet e Princit janë të njohura që nga vitet 1940, por deri më tani nuk dihej saktësisht çfarë e vrau atë.
Sot, një studim i ri multidisiplinar ka zbuluar identitetin e “autorit të krimit”. Hulumtimi u krye nga universitetet e Kaljarit, Firences, Gjenovës dhe Pizës, së bashku me Mbikëqyrjen e Arkeologjisë Liguriane dhe Muzeun Qytetar të Arkeologjisë Liguriane. Universiteti i Montrealit dhe Konsorciumi i Meksikës së Re gjithashtu bashkëpunuan. Rezultatet, të botuara në Journal of Anthropological Sciences, tregojnë se sulmuesi ka shumë të ngjarë të ketë qenë një ari i murrmë ose ari shpellash.
Autopsia me teknologji të lartë: shenjat e luftës me arinjtë
Princi u zbulua në vitin 1942 dhe u varros me sende të pasura, duke përfshirë guaska, varëse fildishi dhe një teh prej çakri. Këto gjetje ruhen në Muzeun e Arkeologjisë Liguriane në Gjenovë. Studimi i ri nuk u përqendrua te aksesorët, por analizoi skeletin për herë të parë, duke kërkuar shenja të traumave para vdekjes.
Analiza konfirmoi se Princi u sulmua dhe u vra nga një kafshë e madhe. Lëndimet në kafkë, fytyrë dhe shpatull janë të dukshme. Midis tyre është humbja e gjysmës së nofullës dhe një pjese të klavikulës, shenja tipike të kafshimeve ose kthetrave. U gjetën gjithashtu fraktura në rruazat e qafës, një kafshim në fibulën e djathtë dhe një plagë me kthetra në kafkë. Sipas autorëve, gjendja inflamatore e kockave tregon se i riu nuk vdiq menjëherë, por mbijetoi për dy ose tre ditë pas sulmit.
Festimi i një ngjarjeje traumatike
“Pamja traumatike është çuditërisht e ngjashme me lëndimet e vërejtura te viktimat moderne të sulmeve nga arinjtë,” thonë studiuesit, duke theksuar se mbijetesa e Princit për disa ditë lidhet drejtpërdrejt me luksin e varrimit të tij. Kjo nuk ishte vetëm një shfaqje e statusit shoqëror, por ritualizimi i një ngjarjeje jashtëzakonisht traumatike.
Analiza zbuloi një detaj të fundit: përveç traumës nga sulmi, Princi tregoi shenja frakturash dhe lëndimesh në këmbë. Ky ishte një rrezik i zakonshëm për gjuetarët-mbledhës të kohës, shpesh me efekte shkatërruese në jetëgjatësinë e tyre.
Ky interpretim është në përputhje me varrime të tjera nga e njëjta periudhë, të cilat tregojnë një incidencë jashtëzakonisht të lartë të lëndimeve traumatike.
Burimi: Focus.it/ Nga Gabriele Ferrari/ Përgatiti për botim: L.Veizi
