Sa fituan të mëdhenjtë e Rilindjes? Kjo është mënyra se si artistë si Leonardo, Michelangelo dhe Donatello bënin jetesën mes porosive publike dhe veprave private.
Artistët e Rilindjes që punonin në Firence, midis viteve 1430 dhe 1530, ishin “punëtorë të bukurisë”
Të gjithë e nisnin karrierën në bottegë, një lloj punishteje artizanale, ku puna ndahej mes çirakëve, mjeshtërve dhe ndihmësve. Kushdo që donte të provonte dorën në art, duhej t’i “ndynte duart”.
Edhe një gjeni si Leonardo da Vinçi kaloi disa vite i mbyllur në një punishte fiorentine: në atë shumë të famshmen e Andrea del Verrocchio-s. Dhe ai nuk ishte ylli i vetëm që doli prej andej: nga atelieja më e rëndësishme e Signoria-s së Mediçëve dolën artistë të kalibrit të Pietro Perugino-s, Domenico Ghirlandaio-s dhe Sandro Botticelli-t.
A ishte fitimprurëse puna e artistit?
Mjeshtrit më të famshëm fitonin mirë dhe bënin një jetë të rehatshme. Në Firence, Mikelanxhelo mori 3 mijë florinj për afreskun (të humbur) të Betejës së Cascina-s në Sala del Gran Consiglio: një shumë njëqind herë më e lartë se ajo që u paguhej emrave më pak të njohur. Dhe nuk ishte rast i izoluar: Donatello merrte 15 deri në 25 për qind më shumë se kolegët e tij skulptorë.
Si ta sillje bukën në shtëpi
Kishte mënyra të ndryshme pagese: disa e merrnin shpërblimin me këste mujore, të tjerë pranonin pagesa të vogla të rregullta. Shumë prej tyre pranonin ushqim, strehim dhe veshje në vend të një pjese të parave. Gjatë punës në Certosa di Firenze më 1506, asistentët e rinj të piktorit Mariotto Albertinelli e kompensuan ushqimin e pamjaftueshëm duke bastisur qilarin e manastirit.
Të penalizuar nga korporatat
Në Firence, për të punuar, artistët detyroheshin të bashkoheshin me një korporatë, por fatkeqësisht nuk kishin një të tyren. Për këtë arsye ndaheshin sipas specializimit, duke iu bashkuar profesioneve me të cilat kishin diçka të përbashkët.
Piktorët ishin të regjistruar në korporatën e mjekëve dhe farmacistëve, pasi këta të fundit u shisnin pigmentet e nevojshme për përzierjen e ngjyrave; argjendarët ishin pjesë e Artit të Mëndafshit, së bashku me rrahësit dhe tjerrësit e arit, sepse konsideroheshin si lidhja midis argjendarisë dhe mëndafshit. Mjeshtrit dhe punishtet e shumta ku punohej druri, guri dhe mermeri formuan Artin e Mjeshtërve të Gurit dhe të Drurit, që përfaqësonte skulptorët dhe zdrukthëtarët figurativë.
Focus.it
