Deri në fund të shekullit, popullsia e botës pritet të bjerë ndjeshëm. Në skenarin më të keq, pasojat mund të çojnë deri në kolapsin e shoqërisë moderne.
Pas dy shekujsh rritjeje eksponenciale, rënia e popullsisë globale deri në vitin 2100 konsiderohet e pashmangshme. Ky është përfundimi i një studimi të botuar në revistën “World” dhe i realizuar nga William Rees, autor i mbi 150 punimeve mbi rritjen dhe zhvillimin socio-ekonomik dhe babai i konceptit “gjurma ekologjike”.
Sipas Rees, konsumi i paqëndrueshëm i burimeve dhe rritja eksponenciale e popullsisë e kanë çuar shoqërinë moderne në një gjendje “tejkalimi të avancuar”.
Cikli i burimeve. Çdo specie në natyrë priret të rritet dhe të riprodhohet derisa habitati të arrijë pikën e thyerjes. Kur kjo ndodh, shfaqet mungesa e ushqimit, përhapen sëmundjet dhe shtohet presioni i grabitqarëve; më pas popullsia zvogëlohet, burimet rigjenerohen dhe cikli rinis.
Një mënyrë jetese e paqëndrueshme. Me njerëzit nuk ndodhi kështu. Shfrytëzimi i lëndëve djegëse fosile mundësoi prodhimin e më shumë ushqimit dhe burimeve, duke shkaktuar një shpërthim demografik: në 200 vitet e fundit, popullsia u rrit nga 1 në 8 miliardë banorë. “Kemi adoptuar një mënyrë jetese vetë-sabotuese, ku burimet e kufizuara që lejuan lulëzimin e shoqërisë industriale, herët a vonë do të bëhen të pamjaftueshme”, shpjegon Rees.
Skenarët katastrofë. Shterimi i burimeve dhe rënia demografike do të shoqërohen me varfëri, papunësi masive, rënie të PBB-së dhe të pagave, mbingarkesë të shërbimeve sociale dhe ndërprerje të zinxhirëve të furnizimit. Në skenarin më të keq, e gjithë shoqëria mund të kolapsojë. “Miliarda të mbijetuar mund të detyrohen të kthehen të jetojnë si në Epokën e Gurit. Nëse ndodh kështu, nuk do të jenë banorët e qyteteve që do të përshtaten, por popullsitë e mësuara me një jetë të varfër rurale”, paralajmëron ai.
A është afër zhdukja? Vizioni i Rees nuk është aspak optimist, por zhdukja e njerëzimit mbetet, sipas tij, një skenar “i pamundur” falë përparimit teknologjik. Megjithatë, ai thekson: “Pasojat negative – kaosi klimatik, mungesa e ushqimit dhe burimeve të tjera, trazirat civile dhe luftërat për burime – mund ta bëjnë të pamundur që një qytetërim i përparuar të mbijetojë në nivel global”.
Në vitin 2050, bota do të ketë numër të barabartë burrash dhe grash
Në vitin 2050, popullsia e botës do të arrijë barazinë gjinore, e më pas gratë do të bëhen shumicë. Arsyeja: po plakemi.
Që nga mesi i viteve ’60, në Tokë ka më shumë burra se gra. Në vitin 2021, burrat ishin 44 milionë më shumë se gratë. Por kjo prirje po ndryshon: në vitin 2050 numri i burrave dhe grave do të barazohet.
Më të vjetër dhe më pak pjellorë. Sipas Qendrës Amerikane të Kërkimeve Pew, që monitoron fenomenet demografike, sociale dhe ekonomike, popullsia botërore po plaket për shkak të rënies së lindshmërisë dhe rritjes së jetëgjatësisë. Nga vitet ’50 deri në 2021, mosha mesatare u rrit nga 22 në 30 vjeç, ndërsa deri në 2050 pritet të kalojë 35 vjeç.
Pse lindin më shumë djem? Kur popullsia është e re dhe ka më shumë lindje, ka edhe më shumë djem, sepse në lindje përqindja e djemve është natyrshëm më e lartë. Kjo nuk ndodh sepse ngjizen më shumë meshkuj – shanset në ngjizje janë 50 me 50 – por sepse vdekshmëria e fetuseve femra gjatë shtatzënisë është më e lartë. Në disa vende patriarkale, ky hendek biologjik thellohet nga abortet selektive dhe vrasja e foshnjave vajza. Për këtë arsye, në 2021 raporti global ishte 106 djem për çdo 100 vajza.
Ekuilibri i ri. Pas lindjes, gratë jetojnë më gjatë se burrat, si për arsye gjenetike, ashtu edhe për faktorë sjelljeje. Në tre vitet e fundit, më shumë burra vdiqën edhe nga Covid-19. Në moshë të thyer ka më shumë gra. Në 2021, gratë përbënin 56% të popullsisë mbi 65 vjeç – 59% në Europë dhe Amerikën e Veriut. Deri në 2050, mbi 65-vjeçarët do të përbëjnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të popullsisë.
Në ish-Bashkimin Sovjetik, gratë janë shumicë që nga Lufta e Dytë Botërore, kur miliona burra u vranë në beteja. Në vendet e Gjirit Persik ndodh e kundërta, për shkak të numrit të madh të punëtorëve migrantë meshkuj.
Jo kudo njësoj. Raporti gjinor ndryshon shumë nga shteti në shtet për shkak të migrimit apo luftërave. Megjithatë, deri në 2050 numri i shteteve ku mbizotërojnë burrat do të ulet nga 86 në vitin 2021, në 67. Në Indi, për shembull, hendeku i madh i krijuar nga abortet selektive po ngushtohet falë fushatave qeveritare dhe ndalimit të testeve prenatale për përcaktimin e gjinisë.
Këto janë tendencat aktuale. Luftërat, zitë e bukës apo pandemitë mund t’i ndryshojnë këto ekuilibra.
Burimi: focus.it / Përgatiti: L. Veizi
