Më 12 qershor 1987, përballë Portës së Brandenburgut në Berlin, presidenti amerikan Ronald Reagan mbajti një nga fjalimet më të famshme të shekullit XX. Duke iu drejtuar drejtpërdrejt udhëheqësit sovjetik Mihail Gorbaçov, ai sfidoi ndarjen simbolike të Evropës me fjalët që do të mbeteshin në histori: “Ky mur do të bjerë. Besimet bëhen realitet. Ky mur do të bjerë, sepse nuk mund t’i rezistojë besimit, nuk mund t’i rezistojë së vërtetës. Muri nuk mund t’i rezistojë lirisë. Zoti Gorbaçov, shembe këtë mur!”
Muri i Berlinit ishte ngritur nga regjimi komunist i Gjermanisë Lindore në gusht të vitit 1961 për të penguar largimin e qytetarëve drejt Berlinit Perëndimor. Struktura prej betoni, rreth 3.5 metra e lartë dhe qindra kilometra e gjatë, ishte shoqëruar me tela me gjemba, gardhe të elektrizuara, kulla vrojtimi dhe roje të armatosura. Për gati tre dekada ai u bë simboli më i dukshëm i ndarjes së botës në dy blloqe armiqësore.
Vetëm dy vjet pas fjalimit të Reaganit, më 9 nëntor 1989, autoritetet e Gjermanisë Lindore njoftuan hapjen e kufirit, duke lejuar qytetarët të kalonin lirisht në Berlinin Perëndimor. Pamjet e mijëra njerëzve që ngjiteshin mbi mur, e godisnin me çekanë dhe festonin ribashkimin e familjeve të ndara prej dekadash, u transmetuan në mbarë botën.
Gjatë vitit 1990 muri u shemb pothuajse tërësisht. Rënia e tij u shndërrua në simbolin e kolapsit të regjimeve komuniste në Evropën Lindore dhe të shpërbërjes së mëvonshme të Bashkimit Sovjetik. Me rrëzimin e Murit të Berlinit mori fund edhe një nga përplasjet më të gjata politike dhe ideologjike të historisë moderne – Lufta e Ftohtë.
