Përgatiti: Leonard Veizi
Informacionet e kahershme shkruajnë se mëngjesi i 11 shtatorit 2001 nisi i kthjellët mbi bregun lindor të Shteteve të Bashkuara. Por brenda pak orësh, Amerika do të përjetonte sulmin më të rëndë terrorist në historinë e saj. E pas kësaj pamjet e dy kullave që digjeshin në zemër të Nju-Jorkut do të bëheshin ndër imazhet më të fuqishme të shekullit XXI…
…Në atë mëngjes, 19 terroristë të lidhur me al-Kaedën rrëmbyen katër avionë pasagjerësh që ishin nisur nga aeroportet e Bregut Lindor drejt Kalifornisë. Plani ishte i koordinuar: avionët do të shndërroheshin në armë dhe do të përdoreshin për të goditur objektiva simbolike dhe strategjike të Shteteve të Bashkuara.
Kulla Veriore
Në orën 8:46, American Airlines Flight 11, një Boeing 767 që ishte nisur nga Bostoni për në Los Anxhelos, u përplas me Kullën Veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju-Jork. Avioni depërtoi në katet e sipërme të ndërtesës, duke shkaktuar një shpërthim të madh dhe një kolonë tymi që u pa nga pjesë të ndryshme të qytetit. Në fillim, shumë njerëz ende nuk e kuptonin se bëhej fjalë për një sulm të koordinuar.
Kulla Jugore
Por vetëm 17 minuta më vonë, në orën 9:03, “United Airlines Flight 175” u përplas me Kullën Jugore. Këtë herë, miliona njerëz që ndiqnin transmetimet televizive e panë drejtpërdrejt përplasjen. Nuk kishte më dyshim: Amerika ishte nën sulm.
Sumi mbi Pentagon
Në Uashington, situata po merrte një tjetër përmasë. Në orën 9:37, “American Airlines Flight 77”, i nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar “Dulles” me destinacion Los Anxhelosin, goditi Pentagonin, selinë e Departamentit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, në Arlington të Virxhinias. Në avion ndodheshin 64 persona; në Pentagon humbën jetën edhe 125 njerëz.
Fluturimi 93
Ndërkohë, një avion i katërt, “United Airlines Flight 93”, ishte nisur nga Nju Xhersi drejt San Franciskos. Pasagjerët e tij morën vesh përmes telefonatave se çfarë kishte ndodhur me avionët e tjerë. Ata kuptuan se avioni i tyre kishte shumë gjasa të ishte pjesë e së njëjtës skemë. Disa prej tyre vendosën të luftonin për të rimarrë kontrollin e avionit.
Në orën 10:03, “Flight 93” u rrëzua në një fushë pranë Shanksville, në Pensilvaninë perëndimore. Avioni nuk arriti objektivin e planifikuar në Uashington. Të 40 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit në bord humbën jetën.
Shembet Kulla Jugore
Në Nju-Jork, tragjedia kishte hyrë tashmë në fazën më shkatërruese. Kulla Jugore u shemb në orën 9:59, vetëm 56 minuta pasi ishte goditur. Një re gjigante pluhuri, betoni dhe tymi përfshiu rrugët përreth. Njerëzit vraponin për të shpëtuar, ndërsa policë, zjarrfikës dhe ekipe shpëtimi përpiqeshin të hynin në ndërtesën që tashmë po shndërrohej në rrënojë.
Shembet Kulla Veriore
Në orën 10:28, u shemb edhe Kulla Veriore.
Brenda pak orësh, qendra financiare e Manhatanit ishte kthyer në një zonë katastrofe. Dy kullat 110-katëshe të Qendrës Botërore të Tregtisë, simbol i fuqisë ekonomike amerikane dhe një nga siluetat më të njohura të Nju-Jorkut, nuk ekzistonin më. Pentagonit i ishte shkaktuar dëmtim i rëndë nga përplasja dhe zjarri, ndërsa në Pensilvani një krater në tokë shënonte vendin ku kishte përfunduar Flight 93.
Viktimat
Bilanci njerëzor ishte i tmerrshëm. 2.977 persona u vranë në sulmet e 11 shtatorit, në Nju-Jork, Pentagon dhe Pensilvani. Viktimat vinin nga 90 vende të botës. Në Nju-Jork u vranë 2.753 njerëz, në Pentagon 184 dhe në Flight 93, 40 pasagjerë e anëtarë ekuipazhi.
Mes viktimave ishin 441 punonjës të shërbimeve të emergjencës, një prej humbjeve më të mëdha të jetëve të personelit të shpëtimit në një ditë të vetme në historinë amerikane. Shumë zjarrfikës dhe policë humbën jetën duke u futur në kullat që po digjeshin për të nxjerrë njerëzit jashtë.
Përfundimi I FBI-së
Sulmet u organizuan nga al-Kaeda, organizata terroriste e drejtuar nga Osama bin Laden. FBI-ja përcaktoi se të 19 rrëmbyesit ishin të lidhur me këtë organizatë. Ata kishin hyrë gradualisht në Shtetet e Bashkuara dhe disa prej tyre kishin marrë edhe trajnim për fluturim në territorin amerikan.
Ndryshimi themelor
Pas 11 shtatorit, bota nuk ishte më e njëjta.
Shtetet e Bashkuara shpallën një luftë globale kundër terrorizmit. Brenda pak javësh nisi ndërhyrja ushtarake në Afganistan kundër regjimit taleban, i cili kishte strehuar al-Kaedën. U forcuan kontrollet në aeroporte, u ndryshuan politikat e sigurisë dhe inteligjencës, ndërsa marrëdhëniet ndërkombëtare hynë në një periudhë të re.
Por pasojat nuk mbetën vetëm politike e ushtarake. Dhjetëra mijëra njerëz që morën pjesë në operacionet e shpëtimit dhe pastrimit në Ground Zero u ekspozuan ndaj pluhurit dhe substancave toksike. Shumë prej tyre do të përballeshin më vonë me sëmundje të rënda dhe pasoja afatgjata shëndetësore.
11 shtatori nuk ishte vetëm një ditë kur u rrëzuan dy ndërtesa. Ishte dita kur u rrëzua edhe ndjenja e sigurisë që shumë amerikanë dhe, në një farë mase, edhe pjesa tjetër e botës kishin pasur për fundin e shekullit XX. Që nga ai mëngjes, terrorizmi, luftërat, siguria ajrore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare do të shiheshin me një tjetër sy.
Epilog
Sot, aty ku ngriheshin kullat, ndodhet Memoriali dhe Muzeu i 11 Shtatorit. Në vendet e dy kullave janë dy pishina të mëdha, të rrethuara me emrat e viktimave. Emrat nuk janë thjesht një listë. Janë dëshmia e njerëzve që atë mëngjes dolën nga shtëpitë për të shkuar në punë, udhëtonin me avion, shkonin në një takim, në një udhëtim apo thjesht po bënin jetën e tyre të zakonshme.
Dhe pikërisht kjo e bën 11 shtatorin kaq të rëndë në kujtesën njerëzore: tragjedia nuk goditi një abstraksion të quajtur Amerikë. Goditi mijëra jetë konkrete, në një mëngjes që kishte nisur si çdo mëngjes tjetër.
