Serge Klarsfeld dhe bashkëshortja e tij, Beate Klarsfeld ishin prej vitesh ndër figurat më të njohura në botë për ndjekjen dhe denoncimin e ish-kriminelëve nazistë. Puna e tyre kishte çuar në identifikimin dhe arrestimin e shumë personave të përfshirë në krimet e Holokausti.
Më 9 korrik 1979, ata u bënë objekt i një atentati. Një makinë-bombë shpërtheu dhe shkatërroi automobilin e tyre tip Renault, të parkuar pranë banesës familjare në Francë. Fatmirësisht, çifti nuk ndodhej në automjet në momentin e shpërthimit dhe i shpëtoi sulmit pa lëndime.
Në vendin e ngjarjes u gjet një shënim ku përgjegjësia për atentatin i atribuohej organizatës ODESSA, akronim i shprehjes gjermane Organisation der ehemaligen SS-Angehörigen (“Organizata e ish-anëtarëve të SS-së”). Sipas legjendës së përhapur pas luftës, kjo organizatë kishte për mision të ndihmonte ish-anëtarët e Schutzstaffel të shmangnin arrestimin dhe gjykimin për krimet e luftës, duke u siguruar rrugë arratisjeje, dokumente të falsifikuara dhe identitete të reja.
Pas përfundimit të Lufta e Dytë Botërore, mijëra ish-nazistë arritën të largoheshin nga Evropa përmes të ashtuquajturave “ratlines” – rrjete të fshehta arratisjeje që i çuan drejt vendeve si Argjentina, Paraguai, Brazili, Kili dhe disa shtete të Lindjes së Mesme. Historianët bien dakord se rrjete të tilla ekzistonin, por nuk ka prova të forta që të vërtetojnë se ato kontrolloheshin nga një organizatë e vetme dhe e centralizuar me emrin ODESSA. Vetë emri u bë i famshëm sidomos pas romanit The Odessa File të Frederick Forsyth dhe ekranizimit të tij, duke e kthyer në simbol të rrjeteve të arratisjes së ish-anëtarëve të SS-së.
Serge dhe Beate Klarsfeld kishin fituar armiq të shumtë për shkak të veprimtarisë së tyre. Ata kontribuuan në zbulimin e vendndodhjes dhe nxjerrjen para drejtësisë të disa prej kriminelëve më famëkeq nazistë, ndër ta Klaus Barbie dhe Kurt Lischka. Beate Klarsfeld u bë e njohur ndërkombëtarisht edhe në vitin 1968, kur i dha një shuplakë publike kancelarit gjerman Kurt Georg Kiesinger, duke e akuzuar për të kaluarën e tij në strukturat naziste.
Atentati i vitit 1979 nuk i ndali Klarsfeldët. Përkundrazi, ata vazhduan punën e tyre për dekada me radhë, duke mbledhur dokumente, dëshmi dhe prova që ndihmuan në gjykimin e shumë autorëve të krimeve naziste. Emrat e tyre mbeten sot sinonim i këmbënguljes në kërkimin e drejtësisë dhe i luftës kundër harresës së krimeve të regjimit nazist.
Përgatiti: L.Veizi
