Një nga këngët më të njohura të Krishtlindjeve, “Carol of the Bells”, ka origjinën e saj në një këngë popullore ukrainase të quajtur Shchedryk, e kompozuar më shumë se një shekull më parë nga Mykola Leontovych.
Sot, melodija e Shchedryk është jo vetëm një pjesë e pandashme e sezonit të Krishtlindjeve në mbarë botën, por gjithashtu një simbol kulturor i Ukrainës, e përdorur për shumë vite si një mjet i diplomacisë kulturore.
Të shtunën, më 20 dhjetor, një orkestër e interpretoi Shchedryk në skenën e Kievin, duke tërhequr një audiencë të mbushur plot dhe duke bërë që shumë prej tyre ta regjistronin koncertin me telefonët e tyre.
Anëtarët e audiencës e përshkruan këtë këngë si thellësisht simbolike për ukrainasit, duke thënë se ajo shkakton emocione të forta dhe është e njohur gjerësisht si një klasik kombëtar. Disa madje e quajtën atë himnin e Ukrainës dhe të Krishtlindjeve.
Në Muzeun e Historisë të Kievit, është hapur një ekspozitë e re me titullin “Shchedryk. Fluturimi i Krishtlindjeve”, që eksploron se si kjo këngë arriti të pushtonte botën. Ekspozita shfaq postera të reklamave të koncerteve të vjetra, disqe vinili dhe partitura muzikore.
Kuratorja e ekspozitës, Tamila Kalytenko, tha se kjo këngë reflekton bukurinë e gjuhës dhe kulturës ukrainase dhe vazhdon të shërbejë si diplomaci kulturore. “Njerëzit e dinë që është një këngë ukrainase”, tha ajo.
Leontovych thuhet se e ka zbuluar melodinë gjatë një udhëtimi në rajonin perëndimor të Podillya-s. Gjatë fundviteve të 1910-ës dhe fillimit të 1920-ës, Kapele Kombëtare Ukrainase ka udhëtuar në Evropë dhe SHBA, duke kënduar Shchedryk dhe këngë të tjera ukrainase për të mbledhur fonde për Republikën Popullore të Ukrainës dhe luftën e saj për pavarësi, tha Kalytenko.
Ishte një nga iniciativat e para të diplomacisë kulturore për të fuqizuar njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Ukrainës.
Kompozitori Leontovych ka jetuar dhe punuar në Pokrovsk mes viteve 1902 dhe 1904, një qytet që tani është në vijën e parë të frontit, ku forcat ruse kanë shtyrë për ta kapur atë për më shumë se një vit.
Moska njoftoi më 1 dhjetor se ka marrë kontrollin e plotë të Pokrovsk-ut, por Ukraina mohoi këtë, duke thënë se kontrollon pjesën veriore të qytetit, që kishte 60,000 banorë para pushtimit të plotë të Rusisë në vitin 2022.
Edhe pse nuk është provuar që Shchedryk është shkruar në qytetin e Donbasit, Pokrovsk mbetet pjesë e historisë së Leontovych.
Një monument për kompozitorin u zbulua atje në vitin 2018, por u evakuua në qytetin qendror të Vinnytsia-s në shtator të vitit 2024 për shkak të sulmeve të intensifikuara ruse./mxh
