Për vite me radhë, Daisy Bell kërkonte vazhdimisht vëmendje dhe siguri nga njerëzit përreth saj. Ishte një model sjelljeje që shfaqej në marrëdhëniet romantike, miqësitë dhe mënyrën se si reagonte ndaj situatave të përditshme, por vetëm pasi pa një episod të një programi televiziv filloi të pyeste veten nëse pas gjithë kësaj fshihej një shpjegim më i thellë.
28-vjeçarja nga Wisconsin po shihte serialin “Deadly Women” kur vuri re disa sjellje që i dukeshin jashtëzakonisht të njohura. Ajo filloi të identifikonte modele që i kishte përsëritur prej vitesh dhe vendosi të fliste me psikiatrin e saj.
Në gusht 2024, Daisy u diagnostikua me çrregullim histrionik të personalitetit (ÇHP), një çrregullim i karakterizuar, ndër të tjera, nga një nevojë e fortë për vëmendje dhe vlerësim, si edhe shfaqje intensive emocionale. Për të, këto prirje ishin shfaqur veçanërisht në marrëdhëniet personale.
Nevoja për vëmendje dhe siguri

Daisy tregon se kishte një nevojë të vazhdueshme për t’u ndier e vlerësuar nga partnerët dhe miqtë e saj. Në marrëdhëniet romantike, kjo shoqërohej shpesh me xhelozi të fortë dhe frikë nga tradhtia.
Ajo u martua në vitin 2021, ndërsa marrëdhënia përfundoi me ndarje në vitin 2023 dhe divorc zyrtar një vit më vonë. Sipas Daisy-t, xhelozia dhe nevoja për siguri kishin ndikuar në mënyrë të rëndësishme në martesën e saj, një model që e kishte vënë re edhe në marrëdhëniet e mëparshme.
E njëjta sjellje shfaqej edhe në miqësi. Daisy rrëfen se shpesh u tregonte shoqeve histori dramatike ose qante përpara tyre në mënyrë që të merrte vëmendjen e tyre.
“U kërkoja shoqeve të mos shkonin në punë vetëm për të kaluar kohë me mua, por në një moment ato lodheshin”, ka treguar ajo.
Duke e parë situatën pas diagnozës, Daisy thotë se filloi të kuptonte se disa prej këtyre sjelljeve kishin qenë të pranishme që në fëmijëri. Një prej kujtimeve që i është rikthyer është zhgënjimi i madh që ndiente kur ishte zgjedhja e fundit gjatë orës së gjimnastikës.
Pas diagnozës, ndryshimi nuk ishte i menjëhershëm
Edhe pse diagnoza i dha një emër modeleve që kishte përjetuar prej vitesh, Daisy nuk ishte menjëherë gati t’i ndryshonte ato.

Për rreth një vit pas diagnozës, ajo vazhdoi të sillej në të njëjtën mënyrë dhe, sipas rrëfimit të saj, përfundimisht humbi edhe disa prej miqësive që i kishin mbetur.
Nevoja për vëmendje dhe vlerësim ndikoi edhe në pasionin e saj për vallëzimin ajror. Daisy vazhdoi të merrej me të edhe pasi pësoi një dëmtim në kyçin e dorës së djathtë. Gjendja e saj u përkeqësua dhe në qershor 2026 iu desh t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Periudha e rikuperimit e detyroi të bënte një pushim nga vallëzimi, por njëkohësisht i dha më shumë kohë për t’u përqendruar te vetja.
Trajtimi i çrregullimit histrionik të personalitetit mbështetet kryesisht në psikoterapi dhe punën me profesionistët e shëndetit mendor, ndërsa nuk ekziston një medikament specifik që trajton drejtpërdrejt këtë çrregullim.
Sot, Daisy thotë se po përpiqet të mos mbështetet vazhdimisht te njerëzit e tjerë për të marrë vëmendje dhe siguri. Ajo ka filluar të kalojë më shumë kohë me veten, ndërsa merret me përgatitjen e ëmbëlsirave, shikon seriale dhe këndon.
Ajo po përpiqet gjithashtu të krijojë lidhje të reja shoqërore dhe romantike. Së fundmi ka përdorur aplikacione takimesh dhe rrjete sociale për të njohur njerëz të rinj.
Për Daisy-n, diagnoza nuk ishte një përgjigje që i zgjidhi menjëherë të gjitha problemet, por një pikënisje për të kuptuar më mirë veten dhe modelet e sjelljes që kishte përsëritur për vite me radhë./k.m
