Tiphaine Auzière, vajza e Brigitte Macron nga martesa e saj e parë me André-Louis Auzière, shfaqet në një video të publikuar në Instagram nga 22-vjeçari Antoine Lecomte, ku të dy duken në momente të afërta gjatë një udhëtimi në Amsterdam.
Sipas Daily Mail, vajza e Brigitte Macron dhe studenti 22-vjeçar janë njohur gjatë verës në “Le Touquet’, një resort bregdetar kozmopolit në veriperëndim të Francës, ku Lecomte punonte si instruktor kitesurfing-u dhe gjatë qëndrimit në resort, ai e trajnoi Auzière.
Një mik i ngushtë i vajzës së presidentit francez deklaroi për revistën franceze Gala se tërheqja mes tyre ishte e menjëhershme.
“Ata kanë shumë gjëra të përbashkëta. Duan ‘Le Touquet” dhe adrenalinën, por edhe udhëtimet dhe sipërmarrjen”.
Artikulli bën të ditur gjithashtu se Auzière, e cila punon si avokate dhe merret paralelisht me politikë, tashmë ia ka prezantuar Lecomte-s dy fëmijët e saj, 12-vjeçaren Élise dhe 10-vjeçarin Aurèle, të cilët i ka nga lidhja me Antoine Sottaux, me të cilin u nda në janar të vitit 2025. Ish-çifti kishte lidhur një marrëveshje bashkëjetese në vitin 2010.
Marrëdhënien e re të saj e ka mbështetur edhe Brigitte Macron, ku siç bëhet e ditur duket se është veçanërisht e lumtur për lidhjen e re të vajzës së saj.
Lidhja e re e Auzière-s ka rikthyer në vëmendje edhe historinë e marrëdhënies mes nënës së saj, Brigitte Macron, 73 vjeç, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, 48 vjeç. Ata u njohën kur Macron ishte vetëm 15 vjeç dhe nxënës në shkollën private La Providence në Amiens, ku Brigitte Macron ishte mësuese.
Marrëdhënia e tyre u zhvillua me kalimin e viteve dhe, pavarësisht diferencës së moshës prej rreth 24 vitesh, ata u martuan në vitin 2007./mxh
