Allison Guerriero, ish-partnerja e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, është gjetur e vdekur në banesën e saj në Boynton Beach, Florida. Shkaku i vdekjes nuk është përcaktuar ende dhe autoritetet po presin rezultatet e autopsisë.
Guerriero kishte pasur një marrëdhënie rreth 18-mujore me McGonigalin dhe, pas ndarjes së tyre, ishte kthyer në një prej personave që publikisht ngriti pikëpyetje mbi aktivitetet e tij.
Në orët para se të gjendej e pajetë, ajo kishte qenë aktive në rrjetin social X, ku publikoi një seri videosh dhe mesazhesh me kritika të forta ndaj FBI-së. Në disa prej tyre, Guerriero kërkonte që hetimet për McGonigalin të mos përfundonin vetëm me dënimin e tij, por të shqyrtohej edhe roli i personave të tjerë brenda institucionit.
“E urrej FBI-në”, dëgjohej të thoshte ajo në një prej videove.
Në një tjetër mesazh, ajo ngrinte pyetje mbi emrat dhe personat që, sipas saj, nuk ishin bërë pjesë e vëmendjes publike.
“Ju e dini emrin e Charles McGonigal, por më parë nuk e dinit. Ju njihnit Jim Comey-n, njihnit Chris Wray-n… Pse nuk filloni të kërkoni emrat që nuk i njihni?”, deklaronte Guerriero.
Babai i saj, Bill Guerriero, konfirmoi se familja nuk ka ende një përgjigje për atë që e shkaktoi vdekjen. Ai tha se duhet pritur raporti i autopsisë për të përcaktuar rrethanat.
“Ne vërtet nuk e dimë ende. Po presim raportin e autopsisë. Mund të ketë qenë një aksident, mund të jetë rrëzuar ose mund të ketë ndodhur diçka tjetër”, u shpreh ai.
Sipas policisë lokale, efektivët mbërritën në apartament rreth orës 20:03 të së enjtes. Në kontrollin fillestar nuk u konstatuan shenja të dukshme që të tregonin se në banesë kishte ndodhur një ndërhyrje kriminale. Hetuesit po vijojnë punën dhe pritet që mjekësia ligjore të përcaktojë shkakun e vdekjes.
Pretendimet që e lidhën me çështjen McGonigal
Emri i Guerrieros ishte bërë i njohur në kuadër të pretendimeve të saj për ish-partnerin. Ajo kishte deklaruar se gjatë lidhjes kishte hasur situata që i kishin krijuar dyshime për mënyrën se si McGonigal zhvillonte aktivitetet e tij.
Një nga episodet që ajo përmendte lidhej me 80 mijë dollarë që, sipas saj, i kishte gjetur në apartamentin ku jetonin bashkë.
Guerriero kishte pretenduar se paratë mund të ishin të lidhura me një pagesë që McGonigal kishte marrë në vitin 2017 nga një ish-zyrtar shqiptar i inteligjencës. Sipas rrëfimit të saj, kur e kishte pyetur për origjinën e shumës, McGonigal i kishte thënë se paratë vinin nga baste të vendosura për një ndeshje bejsbolli.
Ajo nuk ishte bindur nga ky shpjegim dhe kishte nisur të ngrinte dyshime për origjinën e parave.
Pas ndarjes së çiftit në vitin 2018, Guerriero tha se u kishte drejtuar shqetësimet e saj edhe personave brenda FBI-së, duke pretenduar se kishte tentuar të paralajmëronte për sjelljen e ish-partnerit.
“Më kishte ardhur në mendje: ky njeri është tradhtar. Ai po merrte ryshfete për të ushtruar ndikim”, kishte deklaruar ajo.
Sipas Guerrieros, ajo kishte komunikuar edhe me ish-eprorë të McGonigal dhe zyrtarë të tjerë të FBI-së, por pretendonte se sinjalizimet e saj nuk ishin trajtuar siç duhej.
Çfarë dihet për McGonigalin?
Charles McGonigal, ish-drejtues i kundërzbulimit të FBI-së në New York, u arrestua në janar 2023. Ai u dënua më pas me 6 vite e 6 muaj burg në kuadër të çështjeve që lidhen me marrjen e parave dhe marrëdhëniet e tij me oligarkun rus Oleg Deripaska.
Tani, vdekja e papritur e ish-partneres së tij ka rikthyer vëmendjen te Guerriero dhe pretendimet që ajo kishte bërë ndër vite.
Megjithatë, deri në këtë moment, autoritetet amerikane nuk kanë bërë të ditur ndonjë provë që ta lidhë vdekjen e saj me një akt kriminal. Shkaku zyrtar pritet të përcaktohet pas përfundimit të autopsisë./mxh
