Siguria në shkolla me nisjen e vitit të ri mësimor, lufta kundër armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve, si edhe ndjekja e denoncimeve të qytetarëve, ishin në fokus të takimeve që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, zhvilloi me drejtuesit e Policisë në Elbasan, Berat dhe Kukës.
Në takimet me strukturat vendore, Hita kërkoi rritjen e parametrave të sigurisë, duke vënë theksin te parandalimi i ngjarjeve kriminale, ndjekja në kohë reale e konflikteve dhe denoncimeve të qytetarëve, identifikimi dhe arrestimi i personave që qarkullojnë me armë zjarri apo ushtrojnë veprimtari në fushën e narkotikëve, kapja e personave në kërkim, si dhe parandalimi i krimeve mjedisore. Ai kërkoi gjithashtu që komunikimi me qytetarët të jetë gjithmonë etik dhe profesional.
Një pjesë e rëndësishme e porosive të Drejtorit të Përgjithshëm ishte siguria në shkolla, të cilën ai e cilësoi si prioritetin kryesor të Policisë së Shtetit. Me nisjen e procesit të ri mësimor, Hita kërkoi që shërbimet e Policisë të jenë maksimalisht të angazhuara, në bashkëpunim me oficerët e sigurisë në shkolla, për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe zhvillimin normal të procesit mësimor.
Ai u kërkoi shefave të komisariateve që ta ndjekin çdo ditë këtë prioritet dhe të trajtojnë personalisht çdo shqetësim të adresuar nga drejtuesit e shkollave që lidhet me sigurinë e nxënësve.
Sipas porosive të dhëna, Sektorët e Narkotikëve, forcat “Shqiponja” dhe strukturat operacionale do të jenë të përqendruara në perimetrin e sigurisë së shkollave, për të parandaluar çdo tentativë për shpërndarje të lëndëve narkotike apo përfshirje në konflikte me nxënësit.
Në drejtim të sigurisë rrugore, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi intensifikimin e monitorimit të qarkullimit, përfshirë përdorimin e mjeteve inteligjente, me synim parandalimin e aksidenteve dhe ndërhyrjen e menjëhershme ndaj çdo shkeljeje të konstatuar.
Hita kërkoi gjithashtu që çdo drejtues policie të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për situatën e sigurisë në territorin që mbulon, duke ndjekur nga afër problematikat dhe duke garantuar reagim të shpejtë e profesional ndaj çdo shqetësimi të qytetarëve.
Ai u bëri thirrje shefave të komisariateve dhe drejtorëve të qarqeve të presin qytetarët, t’i dëgjojnë për çdo problem që lidhet me punën e Policisë dhe të jenë pjesë e zgjidhjes së tyre. Hita theksoi se edhe ai vetë pret çdo qytetar që kërkon takim./k.m
