Jennifer Runyon, aktorja e njohur për rolet e saj në filmin Ghostbusters dhe sitcomin e CBS Charles in Charge, ka ndërruar jetë në moshën 65-vjeçare.
Familja e Runyon konfirmoi vdekjen e saj përmes një postimi në rrjetet sociale të dielën, më 8 mars, sipas raportimit të ABC7 Los Angeles.
“Të premten e kaluar [6 mars], e dashura jonë Jennifer na la. Ishte një udhëtim i gjatë dhe i vështirë që përfundoi me të rrethuar nga familja e saj,” shkruhej në postim. “Ajo gjithmonë do të mbahet mend për dashurinë për jetën dhe përkushtimin ndaj familjes dhe miqve të saj. Qofsh në paqe, Jenn jonë.”
Mikja e saj, aktorja Erin Murphy, gjithashtu konfirmoi vdekjen në një postim në Facebook më 7 mars, duke shpjeguar se Runyon kishte pasur “një betejë të shkurtër me kancerin.”
Runyon lindi në Chicago më 1 prill 1960 dhe ishte e martuar me trajnerin e basketbollit Todd Corman. Çifti kishte dy fëmijë: një djalë, Wyatt, dhe një vajzë, Bayley. Vajza e saj, gjithashtu aktore, ka marrë pjesë në seriale si 9-1-1, Chilling Adventures of Sabrina postoi një homazh për nënën e saj në Instagram: “Të gjitha pjesët më të mira të mia erdhën nga ti. Do të jepja gjithçka për një ditë tjetër bashkë.”
Runyon debutoi në film në vitin 1980 me horrorin To All a Good Night dhe luajti role dytësore në filmat Up the Creek dhe Ghostbusters në vitin 1984, ku portretizoi një studente që përballej me fenomene paranormale në një skenë ikonike me Bill Murray dhe Steven Tash.
Ajo gjithashtu interpretoi në sitcomin e vitit 1984 Charles in Charge dhe mori pjesë në filma dhe seriale të tjera gjatë viteve 1980 dhe 1990, duke përfshirë marrjen e rolit të Cindy Brady në A Very Brady Christmas, si dhe shfaqje në The Fall Guy, Boone, The Master dhe Quantum Leap, sipas Deadline. Runyon gjithashtu bëri shfaqje të shkurtra në seriale si Murder, She Wrote, A Man Called Sarge dhe Beverly Hills, 90210./mxh
