Last Updated on 12/04/2026 by EL
Elisa Spiropali ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me zhvillimet e fundit politike në Hungari, duke i cilësuar ato si një sinjal domethënës për vetë Europën.
Në një postim në Facebook, ajo ndalet te modeli i ndërtuar ndër vite nga kryeministri Viktor Orbán, për të cilin shprehet se ka sfiduar parimet themelore të Bashkimi Europian, ku demokracia nuk është vetëm votë dhe shumicë, por edhe standard dhe kufizim i pushtetit.
Spiropali thekson se rritja e mbështetjes për figura të reja në skenën politike, si Péter Magyar, tregon se edhe në sisteme të konsoliduara ekziston hapësirë për ndryshim dhe mobilizim qytetar.
Edhe pse nuk e përmend, Spiropali i drejtohet indirekt Ramës, prej 14 vitesh në pushtet, 2 vite më pak se Orbani që sonte doli në opozitë.
Postimi I plotë:
Hungaria dhe prova e Europës
Nëse Hungaria hyn në një fazë të re politike, ky nuk është thjesht një ndryshim qeverie. Është një sinjal më i thellë për vetë Europën.
Për shumë vite me radhë, modeli i Viktor Orban ka sfiduar një nga parimet themelore të Bashkimit Europian; që demokracia nuk është vetëm votë, por edhe standard, jo vetëm shumicë, por edhe kufizim i pushtetit.
Fakti që një figurë si Peter Magyar, i dalë në skenë vetëm pak vite më parë, arrin të fitojë masivisht dhe të mobilizojë një shoqëri të tërë, tregon se edhe në sisteme të konsoliduara dhe të inventarizuara në pushtet, ekziston hapësira për ndryshim. Dhe se energjia politike nuk është e mbyllur, por pret momentin për t’u shprehur.
Ky ndryshim madhor në Hungari do të thotë se edhe në zemër të Europës, shoqëritë kanë ende fuqinë të rikthejnë balancën, të korrigjojnë devijimet dhe të kërkojnë institucione që funksionojnë.
Por mbi të gjitha, do të thotë se Europa, sot, fitoi një betejë më të madhe; besimin në vetvete. Në një kohë kur ndikimet e jashtme, përfshirë influencën ruse, kanë kërkuar të zbehin këtë besim, një kthesë e tillë tregon se vlerat europiane nuk janë thjesht parime në letër, por forca madhore që mund të rikthehen dhe të mbrohen nga vetë shoqëritë.
Kjo është një kujtesë e rëndësishme për të gjithë: Europa nuk është një gjendje e përhershme. Është një proces i vazhdueshëm për të mbajtur, mbrojtur dhe forcuar demokracinë funksionale.
Në këtë kuptim, Hungaria nuk është vetëm Hungari. Është një provë për të gjithë ne.
Sepse Europa nuk matet nga sa larg shkon pushteti, por nga sa fort funksionojnë kufijtë e tij./ET
