Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, ka kërkuar sot që Bashkimi Evropian të ndalojë dërgimin e fondeve evropiane drejt Ukrainës, pas zbardhjes së një skandali të madh korrupsioni, raportoi “Ukrainska Pravda”.
Szijjarto theksoi se për vite me radhë Brukseli ka mbështetur shtetin ukrainas me paratë e qytetarëve evropianë, ndërkohë që korrupsioni vazhdon të lulëzojë në vend. Ai kritikoi faktin se ende nuk është publikuar një raport i detajuar mbi mënyrën se si janë përdorur fondet e BE-së. “Dhe çfarë propozon Brukseli? Të dërgojë edhe më shumë para në Ukrainë, në duart e presidentit Zelensky dhe të rrethit të tij, ku së fundmi u zbuluan lidhje me një rrjet të gjerë korrupsioni,” shtoi Szijjarto.
Ministri hungarez deklaroi gjithashtu se gjatë qëndrimit në pushtet të partisë “Fidesz”, paratë e qytetarëve hungarezë nuk do të shkojnë në Ukrainë.
Skandali lidhet me “Operacionin Midas”, hetim i Byrosë Kombëtare Kundër Korrupsionit të Ukrainës (NABU) mbi një skemë korrupsioni masive në kompaninë shtetërore të energjisë “Energoatom”.
Megjithatë, qeveria gjermane ka shprehur besimin e saj ndaj Ukrainës dhe tha se do të monitorojë nga afër zhvillimet. Finlanda gjithashtu deklaroi se skandali nuk do të ndikojë planet e BE-së për të vazhduar ndihmën financiare për Kievin./MXH
