Last Updated on 12/11/2026 by EL
Hungaria është pranë përfitimit të afro 10 miliardë eurove nga fondet e Bashkimit Evropian për rimëkëmbjen pas pandemisë, të cilat ishin bllokuar gjatë qeverisjes së Viktor Orbanit. Vendimi vjen pas reformave të gjera në fushën e shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit, të ndërmarra nga qeveria e kryeministrit Péter Magyar.
Komisioni Evropian pritet të miratojë pjesën më të madhe të shumës prej 10 miliardë eurosh që i takon Hungarisë nga Mekanizmi i Rimëkëmbjes dhe Rezistencës (RRF). Zyrtarë të Komisionit kanë konfirmuar për Euronews se vlerësimi përfundimtar pritet të përfundojë deri në fund të nëntorit, ndërsa miratimi mund të publikohet që javën e ardhshme.
Péter Magyar, i cili erdhi në pushtet pas fitores së thellë në zgjedhjet e prillit, kishte premtuar gjatë fushatës zhbllokimin e fondeve evropiane të pezulluara gjatë 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbanit. Në maj, Magyar dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ranë dakord për zhbllokimin e 16.4 miliardë eurove, të mbajtura për shkak të shqetësimeve lidhur me shtetin e së drejtës dhe korrupsionin.
Nga kjo shumë, 10 miliardë euro vijnë nga fondi i rimëkëmbjes pas pandemisë, programi i të cilit përfundon në fund të këtij viti. Të gjitha pagesat duhet të autorizohen deri në fund të nëntorit, në mënyrë që fondet të disbursohen përpara mbylljes së vitit.
Në fund të gushtit, Hungaria njoftoi se kishte përmbushur kushtet e kërkuara nga BE-ja për përfitimin e fondeve, pavarësisht vonesave të akumuluara gjatë qeverisjes së Orbanit. Komisioni nisi menjëherë procesin e verifikimit. Sipas një zyrtari të njohur me çështjen, Komisioni nuk ka identifikuar pengesa të mëdha në rastin e Hungarisë, çka mund t’i mundësojë vendit përfitimin e të gjithë shumës së kërkuar ose të një pjese shumë të afërt me të.
Një nga mënyrat që Komisioni përdori për të ndihmuar Budapestin të përmbushte kushtet ishte lejimi i injektimeve të kapitalit përmes institucioneve të investimeve. Sipas planit të rishikuar të rimëkëmbjes, të miratuar në gusht, 3.6 miliardë euro, më shumë se një e treta e fondit, u orientuan drejt Bankës Hungareze të Zhvillimit dhe një kompanie të re hekurudhore, në pronësi të plotë shtetërore.
Megjithatë, Hungaria duhej të përmbushte edhe 27 kushte kryesore dhe më shumë se 100 objektiva të tjera. Gjatë verës, parlamenti ndryshoi mbi 100 ligje, kryesisht në lidhje me pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit. Plani i rishikuar përfshin gjithashtu masa për modernizimin e rrjetit energjetik, hekurudhave dhe banesave me qira.
Pas një rekomandimi pozitiv nga Komisioni Evropian, vendimi duhet të miratohet edhe nga shtetet anëtare të BE-së përpara se të kryhet pagesa.
Në shtator, Komisioni miratoi gjithashtu zhbllokimin e 4.2 miliardë eurove nga fondet e kohezionit për Hungarinë, pas reformave të ndërmarra nga qeveria Magyar. Ndërkohë, 2.2 miliardë euro të tjera mbeten të pezulluara, pasi Budapesti nuk ka përmbushur ende kushtet që lidhen me lirinë akademike dhe të drejtat e personave LGBTI+. Qeveria hungareze nuk ka paraqitur ende prova se reformat përkatëse janë realizuar.
