Last Updated on 04/01/2026 by EL
Me nisjen e vitit 2026, Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në një fazë të re kufizimi të përdorimit të parasë fizike, në kuadër të masave kundër ekonomisë informale dhe parasë së padeklaruar.
Nga 1 janari 2026, ka hyrë në fuqi paketa ligjore që vendos tavan për pagesat cash, si për qytetarët ashtu edhe për bizneset.
Sipas ligjit, individët nuk mund të kryejnë pagesa me para në dorë mbi 500 mijë lekë, ndërsa për bizneset, transaksionet cash mes kompanive janë të kufizuara në 100 mijë lekë.
Çdo pagesë mbi këto vlera duhet të kryhet përmes bankave ose mjeteve elektronike.
Ligji parashikon gjithashtu që bizneset të pajisen me terminal POS, me afate të përcaktuara sipas sektorëve, si pjesë e përpjekjeve për të nxitur pagesat dixhitale dhe për të ulur përdorimin e parasë fizike.
Megjithatë, pavarësisht këtyre masave, të dhënat tregojnë një realitet tjetër. Paraja jashtë sistemit bankar vijon të rritet ndjeshëm. Në nëntor 2025, ajo arriti në 467.4 miliardë lekë, nga 405.9 miliardë lekë që ishte një vit më parë, duke shënuar një rritje vjetore prej mbi 15 për qind.
Në vite, tendenca ka qenë në rritje të vazhdueshme: Në nëntor 2023, paraja jashtë bankave ishte 391.9 miliardë lekë, në nëntor 2024 arriti në 405.9 miliardë, ndërsa në 2025 shënoi një rritje të fortë.
Ekspertët e shohin këtë si një tregues të informalitetit të lartë dhe përdorimit ende masiv të cash-it në ekonomi. Sfidë mbetet tashmë zbatimi efektiv i ligjit dhe rikthimi i këtyre fondeve brenda sistemit bankar, për të garantuar më shumë transparencë dhe kontroll financiar./E.T
