Last Updated on 08/01/2026 by EL
“Mirupafshim Shqipëri. Llaçin e shpifjeve dhe pluhurin e konspiracioneve biografike, ideologjike, gjeopolitike, sociale, materiale e sa e sa të tjera më kanë dëgjuar veshët e parë sytë për veten këto ditë, t’i kam lënë në derë”, kështu shkruajti mes rreshtave një ditë më parë shkrimtarja Lea Ypi, emri i të cilës përgjatë ditëve të fundit u lakua gjerësisht nëpër media si kryeministrja e një kabineti teknik.
E pas kësaj deklarate të Ypit, ka ardhur dhe një reagim nga Evi Kokalari. Nga përtej Atlantikut, Kokalari e cila është një ndjekëse e rregullt e politikës në Shqipëri, ka komentuar këtë deklaratë të shkrimtares.
Përmes një postimi, Kokalari gjerë e gjatë ka kritikuar Ypin dhe akuzuar për influencë të jashtme dhe lidhje me përkrahës të financuar ndërkombëtarisht.
Teksa e ka krahasuar me shembullin e Musine Kokalarit, shkrimtare dhe social demokrate antikomuniste e cila qëndroi e palëkundur përballë perskekutimit, aktivistja ka theksuar se guximi dhe integriteti i asaj është larg nga veprimet e Ypit.
Sipas saj kjo e fundit është e ndikuar dhe nuk tregon të njëjtin respekt për historinë dhe vuajtjet e të tjerëve.
“Mirupafshim, o INTELEKTUALIZËM SOROSIAN!!! Dhe mos harro: ti nuk mund t’i lësh asgjë Shqipërisë në derë, sepse ai llum mediatik ka të njëjtin burim që sponsorizoi edukimin dhe karrierën tënde “akademike”. Prandaj atë llum ta lamë ty në derë, duke ekspozuar cekësinë e intelektit tënd, i cili përdoret si vegël nga personi më i urryer momentalisht në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri”, shkruan Kokalari.
Reagimi i plotë i Evi Kokalarit:
Mirupafshim, o INTELEKTUALIZËM SOROSIAN!!!
Dhe mos harro: ti nuk mund t’i lësh asgjë Shqipërisë në derë, sepse ai llum mediatik ka të njëjtin burim që sponsorizoi edukimin dhe karrierën tënde “akademike”. Prandaj atë llum ta lamë ty në derë, duke ekspozuar cekësinë e intelektit tënd, i cili përdoret si vegël nga personi më i urryer momentalisht në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri.
Shqipëria ka plot intelektualë, brenda dhe jashtë vendit, por ata nuk lanë Sorosin t’i përdhunonte deri në pikën që t’u ktheheshin familjeve të tyre dhe dhimbjes së persekutimit që kaluan ata që i rritën. Këtë vetëm ti e ke bërë, me ndërgjegje dhe liri të plotë individuale.
Ndërkohë, brenda mundësive, emrin e Musine Kokalarit, si social-demokrate me të cilën ti mund të duash të identifikohesh, mos e zër më në gojë.
Musine Kokalari nuk ishte marksiste.
Musine Kokalari ishte antikomuniste.
Musine Kokalari ishte nxënëse e Rilindasve, adhuruese e Mit’hat Frashërit, i cili ka shkruar gjatë e gjerë që në ato vite për rrezikun e marksizmit dhe komunizmit që ti do ta rikthesh për benefit të George Sorosit.
Musine Kokalari ishte thellësisht e persekutuar, e cila kurrë nuk u gjunjëzua, edhe pse një kërkim faljeje ndaj kushëririt të saj do t’ia lehtësonte dënimin. Musine Kokalari qëndroi përpara trupit gjykues komunist, e veshur kokë e këmbë me të zeza për dy vëllezërit e saj të ekzekutuar pa asnjë gjyq, dhe refuzoi të përulet.
Nga ana tjetër, ti je totalisht e gjunjëzuar para George Sorosit, dhe këtë e ke bërë me vetëdije të plotë, sepse askush nuk të persekutoi. Ti, si minorene, e kishe kuptuar mirë çfarë donte Sorosi dhe ia dhe kënaqësinë e një debati “epik”, ku diskutoje censurimin e lirisë së shprehjes për të mirën e shoqërisë.
Musine Kokalari, dhe social-demokratët e tjerë të atyre viteve — përfshi këtu edhe familjarët e tu — vuajtën burg pikërisht sepse ushtruan të drejtën e fjalës, e cila është një e drejtë universale që nuk ta heq dot askush.
Arroganca jote, indiferenca dhe mungesa e emocioneve njerëzore ndaj të shkruarës, persekutimit të atyre që të rritën, por edhe mënyra arrogante se si i drejtohesh Shqipërisë, janë në trajektoren e drejtë të zhveshjes humane që u bëhet të gjithë majtistëve dhe marksistëve.
Si e tillë, mirupafshim, o intelektualizëm sorosian. Je pa diskutim gjëja e fundit që i nevojitet atij kombi në këto kohë të vështira mbijetese./e.t
