E vërteta e trishtueshme është se po dëshmojmë trashëgiminë e një mbretëreshe të ndjerë tepër tolerante: një institucion i paaftë për t’u përballur me sfidat e sotme.
Stephen Bates*
Është kurioze që skandali Epstein, i cili ka shkaktuar një stuhi kaq të madhe në SHBA, deri tani duket se i ka bërë më shumë dëm familjes mbretërore britanike sesa vetë presidencës amerikane. Edhe pse shumë amerikanë janë të fiksuar pas hollësive të monarkisë dhe gjithçkaje që lidhet me të – pavarësisht se u rebeluan krenarisht kundër këtij institucioni 250 vjet më parë – shqetësimet e tyre janë përqendruar më shumë te figurat e mëdha të tyre, Donald Trump dhe Clintonët, sesa te tonat. Është sikur Mbreti Charles dhe vëllai i tij, artisti i njohur tani si Andrew Mountbatten-Windsor, të jenë një zbukurim i çuditshëm barok për ngjarjen kryesore. Që, në fund të fundit, është mënyra si e shohin edhe vetë monarkinë britanike.
Mbretërit dhe mbretëreshat kanë qenë gjithmonë të ndjeshëm ndaj burrave me para dhe pushtet. Dikur ata mund t’ua dhuronin këto besnikëve të tyre; sot gjithçka është më transaksionale. Është e qartë se ajo që e tërhoqi Epstein-in ishte qasja te klasa dhe statusi: mundësia për t’u ulur me shaka në fronin e Pallatit Buckingham apo për të kaluar një fundjavë në Balmoral ose Sandringham, duke lidhur kështu një mbretëror të cenueshëm në rrjetin e tij të kontakteve dhe detyrimeve. Ajo që tërhoqi Andrew-n dhe ish-bashkëshorten e tij këmbëngulëse e gjithmonë pa para, Sarah-n, ishte qasja te paratë dhe lukset që i shoqëronin. Vështirë të besohet, duke pasur parasysh pasurinë e familjes mbretërore, por ndoshta më joshëse ishte afrimi me atë lloj pasurie që zotëron pallate në Manhattan dhe ishuj privatë në Karaibe.
Nuk ka prova që Mbreti Charles apo trashëgimtari i tij ta kenë njohur apo takuar Epstein-in famëkeq, por më shumë se gjashtë vjet pas vdekjes së amerikanit, hija e tij vazhdon t’i ngjitet institucionit. Mbreti mund të ketë shkuar aq larg sa mundej për ta distancuar familjen nga i vëllai – duke i hequr titujt, duke e larguar nga rezidenca në Windsor Great Park dhe duke e zhvendosur në qetësinë e Norfolk-ut – por sëmundja vazhdon. Poshtërimi nuk mjafton: ajo që e vret monarkinë është ndjenja e privilegjit. Telenovela mbretërore ka hyrë në një fazë të hidhur.
A do ta shohim Mountbatten-Windsor të dëshmojë në gjykatë, apo edhe para Kongresit? Megjithëse vite më parë shprehu dëshirën për të ndihmuar hetimin në Uashington, ai nuk ka dhënë asnjë shenjë gatishmërie për ta bërë këtë, qoftë edhe përmes lidhjes video, dhe është e vështirë të kuptohet si mund të detyrohet si shtetas i huaj. Duke gjykuar nga intervista e tij me Emily Maitlis në vitin 2019, ai do të ishte një dëshmitar jo bindës; ndoshta kjo i është bërë më në fund e qartë. Por mungesa e tij e vazhdueshme dhe refuzimi për të dëshmuar nuk flasin aspak për nderin që ai pretendoi me aq krenari në BBC. Ndoshta imazhi që do të mbetet prej tij është ai i fotografisë së publikuar javën e kaluar: një burrë mesoburrë, i shndritshëm, i habitur, i shëndoshë, që qëndron mbi trupin e një gruaje të shtrirë në një festë të errët, diku, dikur.
Por edhe pa Andrew-n – i cili mohon çdo keqbërje dhe madje nuk shpreh pendesë apo neveri të plotë ndaj trafikimit masiv seksual të vajzave të mitura nga ish-miku i tij – familja mbretërore është në rrëmujë.
Mbreti, në fund të të shtatëdhjetave, është i kufizuar nga diagnoza e kancerit dhe trajtimi i vazhdueshëm, duke kuptuar se mbretërimi i tij mund të jetë i shkurtër. Ndërkohë, Princi William nuk flet me vëllain e tij më të vogël, pa asnjë shenjë pajtimi – nëse kjo është ende e mundur pas gjithçkaje që Harry ka thënë për të afërmit e tij në libër dhe në intervista të herëpashershme. Është e vështirë të kujtohet sot, por një dekadë më parë vëllezërit, mbi një valë simpatie publike, ishin shpresa e ndritur e institucionit: dyshja që do të merrte pjesën më të madhe të detyrave mbretërore nga gjyshja dhe të afërmit e moshuar, duke mbajtur gjallë ciklin e pafund të vizitave dhe aktiviteteve që synojnë dukshmërinë dhe popullaritetin. Jetëgjatësia, dikur forcë e monarkisë, po zbehet dhe do të duhen të paktën 15 vjet që brezi i ardhshëm – George, Charlotte dhe Louis – të jetë gati. Edhe nëse ata do ta duan një gjë të tillë.
Disa nga mëkatet e institucionit aktual bien mbi mbretëreshën e ndjerë, e cila ndoqi prindërit e saj në një vetëkënaqësi të rehatshme. Nuk ishte faji i saj që jetoi shumë gjatë, por ishte faji që nuk i vuri fre teprimeve të djalit të dytë, i njohur si problematik prej të paktën 20 vitesh. Monarkia duhet të ndryshojë tani, në mënyrë radikale. Por a do ta bëjë? Një gjë e tillë do të binte ndesh me natyrën e saj.
Stephen Bates është ish-korrespondent mbretëror i Guardian-it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
