Një zbulim i jashtëzakonshëm pranë liqenit Turkana, në veri të Kenias, po ndryshon mënyrën se si shkencëtarët e kuptojnë specien e zhdukur Paranthropus boisei, sipas “Daily Galaxy”.
Gjurmët e fosilizuara të këmbëve, të ruajtura në baltën e lashtë rreth 1,43 milionë vjet më parë, ofrojnë të dhëna që skeletet dhe kafkat nuk kanë mundur t’i zbulojnë.
Në vendin arkeologjik :GaJi10″, studiuesit identifikuan 21 gjurmë këmbësh që u përkisnin tetë individëve. Balta e butë buzë liqenit u mbulua shpejt nga shtresa rëre, duke ruajtur për miliona vjet gjurmët e homininëve, së bashku me ato të hipopotamëve, antilopave dhe kafshëve të tjera të mëdha.
Analiza e gjurmëve tregon se Paranthropus boisei mund të ketë qenë më i madh sesa mendohej deri tani.
Sipas studiuesve, individët mund të kenë arritur deri në rreth 1,8 metra gjatësi dhe të kenë peshuar afërsisht 75 kilogramë, duke pasur përmasa të ngjashme me ato të Homo erectus.
Një tjetër aspekt interesant i zbulimit është se gjurmët e Paranthropus boisei dhe Homo erectus janë gjetur në të njëjtën zonë dhe datojnë nga e njëjta periudhë. Kjo tregon se dy speciet jetonin në të njëjtin rajon, megjithëse nuk dihet nëse kanë pasur kontakte të drejtpërdrejta me njëra-tjetrën.
Rreshtimi i gjurmëve sugjeron gjithashtu se tetë individë, kryesisht meshkuj të rritur, po lëviznin së bashku përgjatë bregut të liqenit. Studiuesit nuk gjetën prova për praninë e femrave apo fëmijëve në këtë grup, çka mund të tregojë se meshkujt e rritur udhëtonin herë pas here në grupe të veçanta.
Sipas autorëve të studimit, gjurmët e këmbëve janë veçanërisht të vlefshme sepse ruajnë një moment të vetëm të jetës së këtyre homininëve, duke ofruar informacion jo vetëm për anatominë e tyre, por edhe për mënyrën se si lëviznin dhe organizoheshin shoqërisht. Zbulimi është publikuar në revistën shkencore “Proceedings of the National Academy of Sciences” (PNAS)./mxh
