Çmimet e biletave të avionëve në Evropë pritet të rriten ndjeshëm si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe problemeve të furnizimit me karburant, paralajmëron Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA).
Kreu i IATA-s, Willie Walsh, deklaroi se rritja e kostove është “e pashmangshme”, duke theksuar se linjat ajrore nuk mund të përballojnë për një kohë të gjatë çmimet e larta të karburantit të avionëve të ndikuara nga situata gjeopolitike dhe pasiguritë në furnizim, veçanërisht në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas tij, disa kompani ajrore kanë ulur përkohësisht çmimet për të nxitur udhëtimet, por kjo nuk do të zgjasë dhe rritja e kostove do të reflektohet në çmimin përfundimtar të biletave për pasagjerët.
“Me kalimin e kohës është e pashmangshme që çmimi i lartë i naftës të sjellë bileta më të shtrenjta”, është shprehur Walsh për BBC.
Britania e Madhe dhe vendet evropiane mbeten të varura nga importet e karburantit nga rajoni i Gjirit Persik, çka shton shqetësimet për furnizimin, sidomos gjatë sezonit të verës kur fluksi i udhëtimeve është më i lartë.
Megjithatë, autoritetet britanike dhe evropiane kanë deklaruar se aktualisht nuk ka mungesë karburanti për avionët dhe se po punojnë për të diversifikuar burimet e furnizimit.
Sipas Walsh, edhe nëse situata në Ngushticën e Hormuzit stabilizohet në një kohë të shkurtër, ndikimi në tregun e aviacionit mund të zgjasë për muaj të tërë, madje edhe gjatë vitit të ardhshëm.
