Last Updated on 17/02/2026 by Anisa
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, së bashku me kryeministrin Edi Rama, prezantuan drejtorin e ri të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKShI), Igli Tafa.
Në fjalën e saj, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ibrahimaj, e vuri theksin te roli strategjik i Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit në transformimin digjital të vendit.
Ministrja vlerësoi punën e deritanishme të AKShI-së, duke e cilësuar atë si shtyllën kryesore të qeverisjes elektronike në Shqipëri dhe një histori suksesi në ofrimin e shërbimeve publike online.
“AKSHI përfaqëson një nga institucionet më të rëndësishme për qeverisjen moderne. Arritjet në digjitalizimin e shërbimeve publike janë një krenari për vendin tonë dhe një dëshmi e kapaciteteve profesionale të stafit. Shqipëria sot renditet ndër vendet me nivel të avancuar të ofrimit të shërbimeve elektronike, falë një pune të qëndrueshme dhe vizioni afatgjatë”, u shpreh ministrja.
Duke u ndalur te prioritetet për periudhën në vijim, ajo theksoi se objektivat për vitin 2026 janë ambicioze dhe kërkojnë vijimësi të ritmit të lartë të punës. Fokus i veçantë do të jetë zhvillimi i platformës “e-Albania 2.0”, me shtrirje të plotë edhe në pushtetin vendor, si dhe ofrimi i shërbimeve proaktive të bazuara në ngjarje jetësore, me qëllim reduktimin e procedurave dhe lehtësimin e aksesit për qytetarët dhe bizneset.
