Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, deputetët e opozitës, Tritan Shehu dhe Edmond Haxhinasto, kanë kërkuar sqarime për incidentin me këngën nacionaliste serbe për Kosovën në hapjen e Forumit II të Zgjerimit në Bruksel dhe për mbajtjen e Samitit të NATO-s në Shqipëri, i cili pritet të mos zhvillohet në vitin 2027 siç ishte planifikuar.
Deputeti Shehu për çështjen e këngës për Kosovën tha se nuk ishte lapsus dhe se nuk duhet të kalojë në heshtje.
“Komisioni i Jashtëm nuk duhet ta kakojë në heshtje. Nuk është lapsus i thjeshtë, të mos gënjejmë veten, nuk është as akuzë ndaj Evropës. Ne kemi kërkuar disa herë rezolutën për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë dhe kjo mazhorancë e mban në sirtar. Kur ne nuk e bëjmë këtë mos presim ta bëjnë të tjetër, kemi frikë nga Vuçiç. Nuk kemi të drejtë të kërkojmë llogari kur nuk e bëjmë vetë.
Pse nuk zhvillohet samiti i NATO-s në Tiranë? Dihej që nuk do bëhej, lërini zbukurime e artificat. Kush është arsyeja? Të vi kryeministri në parlament. Është kontributi i Shqipërisë në NATO? Jo nuk është ai, sepse kontributi dihej. Është mungesa e sigurisë në Shqipëri”, tha mes të tjerash Shehu.
Ndërkohë kryetari i komisionit, Igli Hasani, iu përgjigj se autoritetet shqiptare po presin një përgjigje nga Komisioni Europian, si dhe do i bashkohen çdo qëndrimi që do të mbajë Kosova. Lidhur me Samitin e NATO-s në Tiranë, Hasani tha me siguri se do të mbahet dhe sipas tij nuk ka vend për diskutim.
“Presim përgjigje nga KE, por edhe t’i bashkohemi çdo qëndrimi që do të ketë Kosova. Samiti i NATO-s do mbahet në Tiranë, nuk është në diskutim dhe debat”, tha mes të tjerash Hasani.
Ndërkohë deputeti i PL-së, Edmond Haxhinasto, kërkoi sqarime për incidentin me këngën në Bruksel dhe shtoi se Shqipëria duhet të angazhohet më shumë që Kosova të jetë pjesë e këtyre forumeve.
“Që kjo të ndodhë në një aktiviet të organizuar nga BE, duhen këkruar sqarime. Pse vetë Kosova nuk përfaqsohet në këto formate… për mua kjo është regres. Duhet të jemi më aktiv dhe agresiv që Kosova të jetë pjesë e këtyre formateve”, tha mes të tjerash Haxhinasto./k.m
