Last Updated on 05/11/2025 by Leonard
Ulërima: parking, parking… ose: një foto sa njëmijë fjalë
Nga Leonard Veizi
Mjafton një shikim i vetëm për të kuptuar dramën monumentale urbane që luhet në këtë skenë të heshtur: një mur betoni i zbehtë me mbishkrimin “Privat”, të përsëritur disa herë si një mantra, – apo thënë ndryshe si një “fjalë që përsëritet për përqendrim dhe fuqi mendore”, – e pashpresë, një vijë e verdhë që ndan territorin, dhe si monumente të Arkitekturës Moderne të Vetëmbrojtjes Urbane, dy bidona të përulur, një i bardhë dhe një blu, që ruajnë me fanatizmin e një dervishi një copëz asfalti.
Ky është, në fakt, Trash-Art-i i parkimit shqiptar.
Në Tiranën e sotme, parkimi nuk është më luks, por çështje ekzistence, njësoj si uji, buka apo oksigjeni. Situata ka arritur nivele aq të absurda, sa asnjë tarifë mujore në një “parking privat” – ky vend i shenjtë, pothuaj manastirial i drejtësisë urbane – nuk të garanton siguri. Frika se dikush mund të të “pushtojë territorin” është kthyer në ankth kolektiv. Dhe kështu, qytetari shqiptar, ky Inxhinier i Mbijetesës Urbane, shpik “sinorët” e tij: dy bidona plastike që kanë më shumë autoritet se çdo tabelë zyrtare dhe më shumë fuqi ekzekutive se Policia Bashkiake.
Ironia është therëse: ne flasim për Smart City, për AI, për qytet inteligjent e teknologji digjitale, ndërsa në terren mbrohemi me armët e epokës së Neolitit të vonë – bidona, tulla, karrige dhe zgarë hekuri. Të gjitha, në funksion të ruajtjes së “pronës” në një qytet ku prona është e përkohshme dhe parkimi është mitologji.
Tirana e rrokaqiejve dhe kullave xhami ka një themel të vjetër: luftën për një vend bosh. Dhe për ta fituar këtë betejë, shpik kreativitetin më të papritur – bidonin “roje”, simbolin e pushtetit të plastikës mbi betonin, të improvizimit mbi sistemin, të ironisë mbi progresin.
Është një ulërimë e heshtur: paking, parking…
Një qytet që s’ka më ku t’i parkojë as shpresat.
Një foto që vlen sa një mijë fjalë. Dhe çdo fjalë prej tyre mund të lexohet kështu:
“Mirë se vini në Tiranë – kryeqytetin ku bidoni sundon, plastika ruan dhe teknologjia pret ende të hyjë në parking.”

