Korrigjimi i shifrave të eksporteve nga INSTAT ka nxjerrë në pah ecurinë reale të eksporteve shqiptare, që jo vetëm nuk kishim marrë kthesë pozitive këtë vit, por kanë vazhduar tendencën rënëse përgjatë gjithë 9 mujorin.
INSTAT raportoi se në muajin Shtator 2025 eksportet e mallrave arritën vlerën 27 mld lekë, duke u ulur me 10,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në këtë nëntëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 260 mld lekë, duke u ulur me 7,9 %.
Më herët, INSTAT kishte raportuar se për 8 mujorin vlera zyrtare e eksporteve ishte rritur me 3.5%. Kjo rritje kishte ardhur tërësisht për shkak të përfshirjes në llogaritje të mallrave që kalojnë nga Shqipëria tranzit drejt Kosovës, çka pothuajse dyfishoi artificialisht shitjet drejt Kosovës, duke ndikuar dhe në përmirësimin e shifrës totale. Por, rritja e fortë e eksporteve me Kosovën kishte të bënte me faktin se që nga 1 janari 2025 tranzitet e karburantit drejt Kosovës raportohen edhe si ri eksporte, duke ndikuar në zgjerimin e fortë të eksporteve në vlerë, konkretisht të grupit minerale, lëndë djegëse dhe energji.
Sipas të dhënave të rishikuara të INSTAT, ndikimin në tendencën rënëse si në shtator dhe për 9 mujorin e ka dhënë grupi materiale ndërtimi e metale, si rrjedhojë e mbylljes së aktivitetit të Kurum dhe më pak minerale, lëndë djegëse e energji. Eksportet e tekstileve e këpucë u rikuperuan në shtator dhe për 9 mujorin janë me një rënie mospërfillëse.
Rishikimi i shifrave e ka nxjerrë dhe deficitin tregtare me rritje, ndërsa deri për 8 mujorin raportohej me rënie!
Sipas INSTAT, Gjatë muajit Shtator 2025, në uljen e eksporteve prej 10,7 %, negativisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -8,4 pikë përqindje dhe “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,4 pikë përqindje. Pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Tekstile dhe këpucë” me +1,4 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me +0,2 pikë përqindje, etj.
Eksportet, gjatë këtij nëntëmujori janë ulur me 7,9 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -6,6 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -1,2 pikë përqindje, etj. Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me +1,0 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,5 pikë përqindje. /Marrë nga Monitor/
