Demokrati Grigels Muçollari ka reaguar lidhur me përfshirjen e zyrtarëve të lartë të sigurisë në ngjarje kriminale.
Përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, Muçollari shprehet se përfshirja e një deputeti, kreut të SHISH dhe ish-kreut të Policisë së Shtetit tregon se nuk kemi të bëjmë me raste të izoluara.
Muçollari e cilëson situatën një “rënie të shtetit”, duke drejtuar gishtin për përgjegjësi politike kryeministrit Edi Rama, të cilit i kërkon dorëheqjen e menjëhershme.
Reagimi i plotë:
Kur një polic i thjeshtë zbulohet se ka përkrahur autorin e një krimi ose i ka dhënë atij informacione të klasifikuara, me siguri, si qytetar, ndihesh keq. Ndihesh i tradhtuar, sepse ai të cilit i ke besuar rendin dhe sigurinë ka bërë pikërisht të kundërtën: ka punuar pas shpinës tënde.
Kur këtë e bën një deputet i partisë në pushtet dhe mëson se ai i jepte informacione shtetërore bandës që e kishte promovuar, padyshim ndihesh i poshtëruar.
Por kur mëson se në të njëjtën histori është përfshirë edhe kreu i Shërbimit Informativ të Shtetit, atëherë ndihesh i shkelur, i dhunuar dhe i përçudnuar si qytetar i Republikës që përpiqesh çdo ditë të zbatosh ligjin dhe të respektosh rregullat.
Kur kësaj tabloje i shtohet edhe ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nuk mund të flasim më për raste të izoluara apo për individë të veçantë.
E gjithë arkitektura e sigurisë kombëtare rezulton e prekur nga një histori që të çon tek ai që Partia Demokratike e ka denoncuar prej kohësh si koordinatorin e Edi Ramës me krimin.
Nuk e di nëse Kryeministri do ta ndërpresë vizitën në SHBA dhe do të kthehet me urgjencë në Shqipëri. Por, kur të kthehet, duhet të japë dorëheqjen.
Sepse sot ndodhemi në kushtet ekstreme të rënies së shtetit.
Nuk jemi më thjesht në situatën kur krimi është më i fortë se institucionet. Jemi në një situatë shumë më të rëndë: kur qytetari nuk mund të dallojë më se ku mbaron krimi dhe ku fillon shteti.
Ky nuk është më një shtet që përfaqëson dhe mbron qytetarët e tij.
Është realiteti i një shteti të kapur, ku institucionet që duhet të garantojnë ligjin, rendin dhe sigurinë janë vënë në shërbim të interesave të një grupi të strukturuar kriminal dhe korruptiv.
Dhe për një shtet të tillë, përgjegjësia politike eshte drejtperdrejt ne majen e kupoles, kryeministrin Edi Rama./k.m
