Last Updated on 30/10/2026 by EL
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore kreu inspektime në terren, në Kalanë e Kaninës, me qëllim evidentimin e gjendjes aktuale të monumentit dhe vlerësimin e ndërhyrjeve të realizuara deri më tani.
Specialistët e IKTK-së konstatuan gjendjen e strukturave historike, duke u kushtuar vëmendje ruajtjes së vlerave arkitektonike dhe autenticitetit të monumentit.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha se, monitorimi në terren mbetet një proces i rëndësishëm për ndjekjen e gjendjes së monumenteve dhe garantimin e mbrojtjes së trashëgimisë sonë kulturore.
Kalaja e Kaninës është një monument i rëndësishëm historik dhe kulturor që ndodhet rreth 6 km në juglindje të qytetit të Vlorës, në fshatin Kaninë. Fortifikimi daton që nga periudha ilire (shek. IV para Krishtit) dhe është rindërtuar nga romakët, bizantinët dhe osmanët. Kalaja ofron një pamje panoramike të gjerë mbi gjirin e Vlorës dhe detin Adriatik.
Në kala vijojnë punime konservuese, strukturale dhe gjeologjike. Ky projekt synon konsolidimin, ruajtjen e strukturave historike të kalasë, përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve për vizitorët. /et
