Last Updated on 11/06/2026 by EL
Kupa e Botës 2026 nuk do të sjellë vetëm zgjerimin e numrit të skuadrave pjesëmarrëse, por edhe një hap të rëndësishëm teknologjik që synon të përmirësojë kontrollin e lojës. Risia quhet “Trionda”, topi zyrtar i turneut, i pajisur me teknologji moderne që do të ndihmojë si arbitrat ashtu edhe tifozët.
I krijuar nga Adidas, “Trionda” përfshin një sensor të integruar me peshë 14 gramë, i aftë të regjistrojë të dhëna si shpejtësia, trajektorja, rrotullimi dhe prekjet e lojtarëve deri në 500 herë në sekondë. Gjatë ndeshjeve, topi lidhet me sensorët e instaluar në stadiume, duke dërguar informacion në kohë reale. Të dhënat analizohen përmes inteligjencës artificiale, çka ndihmon arbitrat të marrin vendime më të sakta në raste delikate, si pozicioni jashtë loje apo konfirmimi nëse topi ka kaluar plotësisht vijën fatale.
Një tjetër veçori e pazakontë është se topi do të duhet të karikohet përpara çdo ndeshjeje, pasi sistemi elektronik që mbart funksionon me bateri. Edhe tifozët do të përfitojnë nga kjo teknologji, pasi do të kenë akses në statistika të detajuara në kohë reale, duke përfshirë goditjen më të fortë, rrotullimin më të madh dhe shpejtësinë më të lartë të topit gjatë lojës.
Edhe pamja e “Trionda” është frymëzuar nga vendet organizatore të Botërorit 2026. Ngjyra e kuqe përfaqëson Kanadanë, elementët e gjelbër simbolizojnë Meksikën, ndërsa nuancat blu me yje i referohen Shteteve të Bashkuara. Detajet e arta janë vendosur si një nderim për trofeun e Kupës së Botës./et
