Last Updated on 11/06/2026 by EL
Për herë të parë, një ekspeditë arkeologjike është zhytur në portin e Nassau-s, në Bahamas, dhe zbulimet e saj duket se tejkalojnë edhe legjendat e Piratëve të Karaibeve. Arkeologët kanë gjetur anije të djegura, predha musketash dhe gjurmë që lidhen drejtpërdrejt me piratët më të famshëm të historisë, përfshirë edhe Mjekërziun. Midis shekujve XVI dhe XIX, piratët dhe korsarët përshkonin oqeanet në kërkim të anijeve tregtare të ngarkuara me mallra e thesare. Shumë prej tyre, së bashku me anijet që sulmonin, përfunduan në fund të detit duke marrë me vete histori dhe sekrete të panjohura. Në portin e Nassau-s, në ishullin New Providence, studiuesit kanë zbuluar disa relike anijesh që lidhen me epokën e artë të piraterisë. Midis viteve 1690 dhe 1720, kjo zonë ishte streha kryesore e piratëve të famshëm si Edward Teach, i njohur si Mjekërziu, dhe John Rackham, i quajtur Calico Jack. Këtu ata planifikonin sulmet ndaj anijeve spanjolle dhe angleze, ndanin plaçkën dhe organizonin ekspedita të reja
Pse Karaibet u bënë parajsa e piratëve?
Dy faktorë kryesorë e shpjegojnë këtë fenomen: trafiku i madh detar i krijuar nga kolonializmi evropian dhe nevoja e piratëve për porte të sigurta ku të strehoheshin. Pas Traktatit të Tordesillasit në vitin 1494, Spanja mori kontrollin e pjesës më të madhe të territoreve perëndimore të Botës së Re, duke i kthyer Karaibet në një nyje të rëndësishme tregtare. Kjo tërhoqi piratë dhe korsarë nga Anglia, Franca dhe Holanda, të cilët sulmonin anijet tregtare dhe më pas strehoheshin në gjire të fshehta si Nassau.
“Firma” e piratëve
Gjatë kërkimeve nënujore u identifikuan gjashtë relike anijesh. Njëra prej tyre ishte një skelet anijeje prej druri i karbonizuar, i rënduar me gurë balast. Pranë mbetjeve u gjetën një top hekuri, një gur mprehës për shpatat dhe 25 plumba prej plumbi për musketa. Sipas arkeologëve, djegia e anijeve deri në vijën e ujit ishte një taktikë tipike e piratëve për të fshehur gjurmët e krimeve të tyre. Pasi grabisnin mallrat, thesaret dhe armët, ata i vinin flakën anijes për të eliminuar çdo provë. Pikërisht ky lloj shkatërrimi konsiderohet si një “kartëvizitë” e sulmeve të stilit të Mjekërziut.
Kush ishte Mjekërziu?
Edward Teach (rreth viteve 1680–1718) konsiderohet pirati më i famshëm i historisë. Fillimisht ai shërbeu si korsar në emër të kurorës britanike gjatë Luftës së Mbretëreshës Anne. Më vonë kaloi në pirateri dhe, së bashku me kapitenin Benjamin Hornigold, sulmoi dhe grabiti dhjetëra anije. Anija e tij më e famshme ishte Queen Anne’s Revenge, e pajisur me 40 topa, me të cilën terrorizoi brigjet e Amerikës së Veriut dhe Karaibeve. Në të njëjtën zonë, ekipi identifikoi edhe një anije tregtare angleze të fundosur rreth vitit 1740. Brenda saj u gjetën shishe vere prej qelqi, pajisje detare dhe 143 llulla balte për duhan, të zbukuruara me stemën mbretërore angleze, një njëbrirësh dhe një kurorë. Zbulimet e reja po ndihmojnë historianët të rindërtojnë jetën reale të piratëve të Karaibeve, duke treguar se pas legjendave dhe filmave fshihen ngjarje historike shumë më interesante sesa vetë trillimi./FC
