Adhuruesit e Wagner-it mund të gëzohen! Parsifal dhe kulmi i ciklit të famshëm Ring të regjisorit Barrie Kosky janë në horizont. Drejtori i operës flet për goditjet e sakta në shenjë, stuhitë që tronditën sezonin e kaluar – dhe si të shmanget përgjumja e publikut.
Charlotte Higgins
Mëngjesin që takoj Oliver Mears, drejtorin e operës në Covent Garden, jam ende nën efektin e një përvoje të jashtëzakonshme. Një ditë më parë kisha parë operën epike Siegfried të Richard Wagner, pjesa e tretë e ciklit Ring. Gati gjashtë orë e gjatë, ajo është një zhytje në një botë perëndish dhe gjigantësh, heronjsh dhe luftëtaresh – por edhe marrëdhëniesh të thella njerëzore. Me Andreas Schager në rolin kryesor dhe një kast të shkëlqyer, ishte Royal Opera në formën e saj më të mirë.
Gjatë rrugës për në zyrën e tij, Mears kalon nëpër labirintin e prapaskenës: këngëtarë që bëjnë prova zëri, kostumografë që diskutojnë rregullime të minutës së fundit, madje edhe disa minj që kalojnë shpejt në mensë, duke i dhënë vendit një atmosferë bohemiane.
Sezoni i ardhshëm, thotë ai, do të jetë si një banket operistik. Do të ketë një Parsifal të ri, me dirigjent Jakub Hrůša dhe regji nga Evgeny Titov. Po ashtu, një Un Ballo in Maschera i Giuseppe Verdi, me regjisorin gjerman Philipp Stölzl, si dhe rikthimin e produksionit të Richard Jones për Kát’a Kabanová të Janáček, sërish nën dirigjimin e Hrůša.
Pas suksesit të madh të Festen nga Mark-Anthony Turnage – një adaptim i filmit të Thomas Vinterberg – sezoni i ri nuk do të ketë një premierë të madhe të re. Mears shpjegon se prodhime të tilla janë shumë të kushtueshme dhe çdo vepër e re duhet të jetë një “goditje në shenjë”.
Kjo reflekton edhe ndikimin e shkurtimeve të forta nga Arts Council England në skenën operistike britanike. Sipas Mears, rëndësi ka që institucionet të krijojnë vetë vepra të reja dhe të investojnë në zhvillim. Ai kërkon opera që “ta mbajnë publikun në majë të karriges”, duke kritikuar faktin se shumë opera bashkëkohore dështojnë për shkak të mungesës së kontrastit dhe forcës dramatike.
Por përtej artit, sezoni i kaluar u shoqërua edhe me polemika. Në korrik, gjatë një shfaqjeje, një artist shpalosi një flamur palestinez në fund të operës. Një anëtar i stafit ndërhyri për ta hequr – dhe ai ishte vetë Mears. Pamjet u përhapën dhe shkaktuan debat të gjerë.
“Perdja nuk është vend për protesta personale politike,” thotë ai, duke mbrojtur qëndrimin e tij, edhe pse e pranon se situata ishte e pakëndshme. Megjithatë, 182 punonjës të Royal Ballet and Opera nënshkruan një letër kundër reagimit të tij, duke mbështetur artistin Daniel Perry.
Debatet nuk mbarojnë këtu. Në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon, prania në skenë e sopranos ruse Anna Netrebko ka nxitur diskutime, për shkak të lidhjeve të saj të mëparshme me Vladimir Putin. Mears thekson se ajo ka dënuar luftën dhe nuk është kthyer në Rusi që prej pushtimit, por kritikat mbeten.
Institucioni, thotë ai, përpiqet të qëndrojë sa më neutral, duke refuzuar edhe kërkesa për të shfaqur flamuj të ndryshëm në ndërtesë pas krizave ndërkombëtare.
Në fund, biseda kthehet te cikli monumental Ring. Për Mears, ai është një gur themeli i repertorit operistik dhe një provë e vërtetë për çdo teatër. “Kur opera bëhet si duhet,” thotë ai, “është përvoja më e fuqishme emocionale që mund të përjetosh.”
Përgatiti për botim: L.Veizi
