Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi këtë të hënë se Irani është i përgatitur për luftë, por njëkohësisht mbetet i hapur për negociata, në një moment kur tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit po rriten ndjeshëm.
Deklarata vjen ndërsa presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton përgjigjet e Shteteve të Bashkuara ndaj dhunës gjatë protestave në Iran, të cilat përbëjnë një nga sfidat më të mëdha për regjimin klerikal që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Presidenti Trump deklaroi se SHBA mund të zhvillojë takime me zyrtarë iranianë dhe se është në kontakt me opozitën, duke shtuar presionin ndaj udhëheqjes së Republikës Islamike. Ai paralajmëroi gjithashtu se nuk përjashtohet përdorimi i forcës ushtarake nëse dhuna ndaj protestuesve vazhdon.
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane akuzuan Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se po nxisin trazira në vend. Mediat shtetërore raportuan se është bërë thirrje për tubime mbarëkombëtare, për të dënuar, sipas tyre, “veprimet terroriste të udhëhequra nga SHBA dhe Izraeli”.
Ministri Araqchi deklaroi se situata në Iran është “nën kontroll të plotë”, edhe pas përshkallëzimit të dhunës gjatë fundjavës. Ai fajësoi paralajmërimet e presidentit Trump, duke thënë se ato kanë inkurajuar, sipas tij, elementë terroristë të sulmojnë protestuesit dhe forcat e sigurisë për të nxitur ndërhyrje të huaj.
Ndërkohë, pakënaqësia brenda Iranit po rritet, veçanërisht ndaj Gardës Revolucionare, e cila kontrollon sektorë kyç të ekonomisë, përfshirë naftën, ndërtimin dhe telekomunikacionin, me interesa financiare që kapin miliarda dollarë./mxh
