Ukraina përjetoi një natë të rëndë nga një valë sulmesh ruse në disa rajone të vendit, të cilat morën jetën e shtatë personave, mes tyre edhe dy fëmijë.
Në Kharkiv, pamjet tregojnë flakët që përfshinë një bllok banimi pesëkatësh, ndërsa ekipet e emergjencës punonin për të nxjerrë trupat e pajetë nga rrënojat.
Në jug, në rajonin e Odesës, objektiv i sulmeve ishte infrastruktura portuale. Goditjet ruse shkaktuan zjarre të mëdha në depot e drithit dhe kontejnerët me vaj vegjetal, duke goditur drejtpërdrejt zinxhirin e eksporteve ushqimore të vendit.
Ndërkohë, katër stacione hekurudhore në Ukrainën qendrore u sulmuan, duke paralizuar për disa orë lëvizjen e civilëve dhe furnizimeve.
Në një reagim në rrjetin social X, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy e quajti sulmin “barbar kundër jetës” dhe u bëri thirrje sërish aleatëve perëndimorë për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, duke theksuar se përgjigja ndaj këtyre krimeve duhet të jetë e menjëhershme.
“Rusia përdori 29 raketa kundër Ukrainës, të cilat shënjestruan infrastrukturën energjetike në Kiev, rajonet Khmelnytskyi dhe Chernivtsi, si dhe hekurudhën në rajonin Zhytomyr. Dëme janë raportuar në disa rajone të tjera. Shërbimet përkatëse po punojnë kudo që është e nevojshme. Duhet të ketë një përgjigje nga partnerët ndaj këtyre sulmeve të egra kundër jetës. Falënderoj të gjithë ata që nuk do të heshtin.”
Megjithëse sistemet mbrojtëse arritën të asgjësonin një pjesë të madhe të raketave mbi Kiev, intensiteti i sulmit ka vënë në alarm autoritetet ukrainase, të cilat druhen se Rusia po synon të godasë rëndë sektorin energjetik të vendit./mxh
