Tensionet mes Iranit dhe SHBA vijojnë të mbeten të larta, ndërsa përpjekjet për një marrëveshje armëpushimi hasin në pengesa.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi se Teherani ka paraqitur qartë kërkesat dhe qëndrimet e tij, duke theksuar se negociatat nuk mund të zhvillohen nën presion apo kërcënime.
Sipas tij, propozimet e fundit të ndërmjetësuara nga vende të treta, përfshirë një plan amerikan me 15 pika, janë të papranueshme dhe jologjike për Iranin.
Baghaei nënvizoi se vendi i tij nuk do të tërhiqet përballë presionit, duke shtuar se përvoja e mëparshme në negociatat me SHBA-në ka qenë “e hidhur”.
Këto deklarata vijnë në prag të një afati të vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka paralajmëruar pasoja të rënda nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Ndërkohë, situata mbetet e tensionuar edhe për shkak të bllokimit të Strait of Hormuz, një nga rrugët më të rëndësishme për furnizimin global me energji.
Mbyllja e këtij korridori strategjik nga Irani ka ndikuar drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare të naftës dhe gazit, duke rritur shqetësimet për një krizë energjetike globale.
Përplasjet mes Iranit dhe aleatëve perëndimorë kanë hyrë tashmë në javën e pestë, ndërsa përpjekjet diplomatike për zgjidhje vijojnë mes tensioneve të larta./mxh
