Irani po e paraqet përfundimin e konfliktit me SHBA-të si një fitore strategjike dhe simbolike, duke iu rikthyer historisë së lashtë persiane për të forcuar narrativën e tij politike.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, publikoi në rrjetin X një imazh të Hormuzit së bashku me relievin historik të Naqsh-e Rostam, pranë Persepolit, ku paraqitet poshtërimi i dy perandorëve romakë nga mbreti sasanid Shapur I.
Në mesazhin e tij, Baghaei shkroi se “Roma ishte qendra e padiskutueshme e botës, por iranianët e thyen atë iluzion”, duke bërë një paralelizëm të drejtpërdrejtë me përplasjen aktuale me SHBA-të.
Sipas mediave iraniane, Teherani beson se ka dalë fitues nga konflikti sepse regjimi arriti të mbijetojë dhe të ruajë strukturën shtetërore, pavarësisht vrasjeve të komandantëve dhe presionit ushtarak. Sistemi i pasuesve të menjëhershëm për çdo post kyç lejoi vazhdimin normal të zinxhirit komandues.
Analistët në Teheran thonë se lufta ka sjellë edhe një transformim ideologjik në Republikën Islamike, ku regjimi i udhëhequr nga Garda Revolucionare po përdor gjithnjë e më shumë simbolet e Persisë së lashtë për të forcuar unitetin kombëtar.
Ndërkohë, Irani pretendon se ka rritur ndikimin rajonal dhe ka konsoliduar aleancat strategjike. Rusia, sipas burimeve iraniane, ka ofruar inteligjencë ushtarake, Kina mbështetje politike dhe materiale “dual use”, ndërsa Pakistani ka ndihmuar Teheranin të anashkalojë bllokadën detare amerikane përmes portit të Gwadarit.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se vendi është “i gatshëm të garantojë botën se nuk synon armën bërthamore”, por shtoi se Irani “nuk do të bëjë kompromis me nderin dhe dinjitetin kombëtar”.
Çështja kryesore mbetet programi bërthamor. Teherani shprehet i gatshëm të pezullojë përkohësisht pasurimin e uraniumit, por jo të heqë dorë përfundimisht prej tij. Irani kërkon gjithashtu kthimin e menjëhershëm të një pjese të miliardave të dollarëve të ngrira jashtë vendit si kusht për çdo marrëveshje.
Megjithatë, pasojat e luftës mbi popullsinë iraniane mbeten të rënda. Konflikti ka shkaktuar mbi 270 miliardë dollarë dëme dhe më shumë se 3 mijë viktima. Ekonomia është në krizë të thellë, me rritje të çmimeve, papunësi masive dhe vështirësi të mëdha sociale.
Shumë iranianë kërkojnë një marrëveshje për t’i dhënë fund izolimit dhe krizës ekonomike. “Duhet të dalim nga kjo gjendje, sepse situata mund të përkeqësohet edhe më shumë”, shprehet një arkitekt opozitar nga Teherani.
Edhe kritikët e regjimit kanë mbetur të zhgënjyer nga mënyra si SHBA menaxhoi konfliktin. Sipas analistëve iranianë, lufta rrëzoi pritshmëritë se presioni ushtarak do të sillte ndryshim regjimi në Iran. “Vetëm iranianët mund ta ndryshojnë Iranin”, thotë një ekspert komunikimi në Teheran./mxh
