Todd Blanche, ish-avokati personal i Presidentit amerikan Donald Trump, është konfirmuar me një diferencë të ngushtë nga Senati si Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, duke marrë drejtimin e postit më të lartë të zbatimit të ligjit në vend.
Blanche u konfirmua me 50 vota pro dhe 49 kundër. Dy senatore republikane, Susan Collins dhe Lisa Murkowski, iu bashkuan demokratëve duke votuar kundër emërimit të tij.
Vota vendimtare u dha nga senatori republikan Bill Cassidy, votimi i të cilit ishte veçanërisht i ndjekur për shkak të marrëdhënieve të tensionuara që ai ka pasur me Trump në të kaluarën.
Emërimi i Blanche ishte shoqëruar me debate dhe kundërshtime edhe brenda radhëve republikane. Disa senatorë ngritën shqetësime për mënyrën se si ai trajtoi publikimin e dokumenteve që lidhen me Jeffrey Epstein, si dhe për rolin e tij në krijimin e një fondi prej 1.8 miliardë dollarësh të lidhur me Trumpin.
Fondi ishte parashikuar të ofronte kompensim për individë që pretendonin se ishin përndjekur nga qeveria. Kritikët, mes tyre Murkowski, shprehën shqetësimin se fondet mund të përfundonin te persona të ndjekur penalisht për pjesëmarrjen në sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021.
Gjatë seancave të konfirmimit, Blanche u zotua se do ta tërhiqte fondin pas reagimeve të senatorëve republikanë. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ky angazhim është ligjërisht i detyrueshëm dhe nëse një skemë e ngjashme mund të rikthehet më vonë në një formë tjetër.
Murkowski tha se nuk kishte besim te Blanche për të “kontrolluar impulset më të këqija të kësaj administrate”, ndërsa theksoi shqetësimet e saj për politizimin e Departamentit të Drejtësisë.
Senatorja Susan Collins ngriti gjithashtu pikëpyetje për rolin e Blanche në zgjidhjen e një padie prej 10 miliardë dollarësh të Trump kundër Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme (IRS). Megjithatë, ajo tha se në fund i besonte Blanche-s për t’i dhënë presidentit këshilla të sinqerta ligjore.
Senatori Bill Cassidy, përpara se të hidhte votën vendimtare, tha se Blanche ishte opsioni më i mirë që presidenti kishte paraqitur për këtë post.
“Ky nuk është një referendum për Presidentin Trump, është një vendim në lidhje me z. Blanche”, tha Cassidy, duke shtuar se, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, do të votonte pro konfirmimit të tij.
Cassidy ka pasur më parë përplasje me Trump. Gjatë procesit të dytë të shkarkimit të presidentit në vitin 2021, ai votoi për dënimin e Trumpit për rolin e tij në trazirat e 6 janarit në Kapitol.
Demokratët e kundërshtuan ashpër emërimin. Udhëheqësi demokrat i Senatit, Chuck Schumer, e akuzoi Blanche-n se kishte ndihmuar në avancimin e interesave të Trumpit dhe paralajmëroi se konfirmimi i tij mund të thellonte politizimin e Departamentit të Drejtësisë.
Në krahun tjetër, republikanët e përshëndetën konfirmimin. Senatori Chuck Grassley, kryetar i Komitetit Gjyqësor të Senatit, tha se Blanche kishte treguar “durim, dhembshuri dhe këmbëngulje të jashtëzakonshme” gjatë procesit të emërimit dhe se nuk kishte dyshim për kualifikimet e tij.
Blanche kishte shërbyer si zëvendësprokuror i përgjithshëm përpara se të merrte drejtimin e përkohshëm të Departamentit të Drejtësisë në prill, pas largimit të Pam Bondit.
Ai ka qenë gjithashtu avokati kryesor i Trump në çështjen penale të vitit 2024 lidhur me pagesën e parave për heshtje.
