Ish-kryeministri pakistanez Imran Khan dhe gruaja e tij, Bushra Bibi, janë dënuar me 17 vjet burg për shfrytëzim dhe shitje të dhuratave të marra nga shtetet e huaja.
Ata akuzohen se, gjatë kohës që Khan ishte në detyrë, shisnin dhuratat e shtetit nga Arabia Saudite, përfshirë bizhuteri, duke deklaruar vetëm 8 500 €, ndërkohë që vlera e tyre reale ishte 244 700 €.
Ligji pakistanez parashikon që zyrtarët e qeverisë të paguajnë vlerën e tregut për dhuratat që duan t’i mbajnë dhe të deklarojnë çdo fitim nga shitja e tyre.
Avokati i Khan tha se do të apelojnë vendimin. Zëdhënësi i Khan e quajti gjykimin të padrejtë, ndërsa qeveria theksoi se vendimi bazohej në prova të forta.
Khan, 73 vjeç, u rrëzua nga posti i kryeministrit në prill 2022 dhe mbetet figurë popullore, megjithëse partia e tij nuk fitoi shumicën në zgjedhjet e 8 shkurtit 2024.
Ai ka pretenduar se largimi i tij ishte pjesë e një komploti të mbështetur nga SHBA-të dhe ushtria pakistaneze, pretendime të mohuara nga të gjitha palët.
Ish-kryeministri ndodhet në qeli që nga viti 2023 për akuza korrupsioni dhe çështje të tjera, të cilat ai dhe mbështetësit e tij, i kanë cilësuar si përpjekje për të penguar karrierën e tij politike./mxh
