Last Updated on 08/06/2026 by EL
Me ardhjen e verës, krahas pushimeve, aktiviteteve në natyrë dhe ditëve të gjata me diell, rikthehet edhe një shqetësim i njohur për qytetarët, “lufta” me mushkonjat. Përveç bezdisjes që shkaktojnë, këto insekte mund të jenë edhe bartëse të sëmundjeve të ndryshme, duke e bërë procesin e dezinfektimit një ndër masat më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit publik.
Për këtë çështje foli zv/drejtori i ISHP-së, Dritan Ulqinaku, i ftuar këtë të hënë, më 8 qershor, në emisionin “Aldo Morning Show”. Ai bëri të ditur se procesi i dezinfektimit ka nisur dhe po vijon në zonat e planifikuara.
“Deri në ’90 u bënte një dezinfektim masiv nga shteti i mushkonjave dhe i bimësisë dhe për shumë vite u harrua ky proces, duke shtuar që dhe mirëmbajtja e kanaleve kulluese u la mënjanë dhe kjo gjë favorizon shumë rritjen e këtyre insekteve. Dhe ka vetëm 10-12 vjet që ka filluar procesi i dezinfektimit. Këtë vit po bëhet. Në momentin që temperaturat rriten mbi 18 gradë Celsius, është procesi normal për të filluar dezinfektimin, pra për të vrarë që në vezë ato që përveç bezdisjes, bëhen shkak për të transmetuar sëmundje shumë të rrezikshme.”
Sipas Ulqinakut, ndërhyrjet po kryhen në hapësirat publike, ndërsa përgjegjësia për dezinfektimin e sipërfaqeve private u takon vetë pronarëve.
“Nuk mund ta bëjmë ne dezinfektimin e sipërfaqes së hoteleve. Në letra, inspektoriati sanitar kontrollon vazhdimisht certifikatat e dezinfektimit po se sa bëhet kjo në gjykimin tim lë shumë për të dëshiruar. Është një betejë që ne duhet ta bëjmë të gjithë, duhet ta luftojmë të gjithë dhe duhet ta fitojmë të gjithë. Procesi i dezinfektimit duhet të bëhet 10-14 ditë.”
Ai ngriti shqetësimin se lufta kundër mushkonjave nuk mund të fitohet vetëm nga institucionet shëndetësore, por kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve, nga pushteti vendor te bizneset private.
Duke iu referuar situatës në zonat bregdetare, Ulqinaku tha se procesi i dezinfektimit po zbatohet në zonat më problematike dhe pranë qendrave të banuara, por kërkoi më shumë përfshirje nga bashkitë.
“Doja të bëja një apel që nuk duhet të lihemi vetëm që e ka Instituti dhe kjo është e gjitha, edhe bashkitë vetë mund të ndërhyjnë, në vendet që ato i konsiderojnë problematike. Jemi të pafuqishëm sepse nuk ndihmohemi edhe nga pushteti lokal dhe nga privati. Bashkitë na e kanë lënë ne në dorë pavarësisht se ne i kemi thënë që duhet të bëhen pjesë e këtij problemi. Për momentin nuk di që të kenë filluar krahas nesh. Na thonë pse nuk e keni futur këtë zonë më parë në proces por e është e mira që në muajin shkurt-mars të iidentifikohet zona që ne ta fusim në hartën tonë të dezinfektimit.”
Zv/drejtori i ISHP-së siguroi gjithashtu se produktet e përdorura në këtë proces janë të certifikuara dhe nuk paraqesin rrezik për njerëzit apo gjallesat e tjera.
“Përqëndrohemi aty ku ka burime ujore sepse uji është ai që i jep zhvillim mushkonjave. Produktet janë të miratuara nga OBSH dhe mundohemi që dezinfektimin ta bëjmë në orët e para të mëngjesit.”
Një tjetër çështje e ngritur gjatë intervistës ishte informimi i qytetarëve për zonat dhe oraret e dezinfektimit. Ulqinaku tha se publikimi i këtyre të dhënave në faqen zyrtare të institucionit është një ide që meriton të merret në konsideratë.
“Nuk e kemi dhe do e mbaj shënim në kuptimin e plotë të fjalës sepse absolutisht që duhet. Vështirësisa qëndron që sot që është planifikuar një zonë, nesër mund të mos jetë dhe sipërfaqet ndryshojnë, por që absolutisht duhet të pasqyrohen në uebsajtin e shëndetit publik.”
Në fund, ai ngriti alarmin për pasojat që mund të sjellin ndryshimet klimatike në vitet e ardhshme. Sipas tij, rritja e temperaturave mund të zgjasë ciklin jetësor të mushkonjave, duke shtuar rrezikun e përhapjes së sëmundjeve infektive.
Ai u shpreh se në një të ardhme ku ngrohja globale mund të sjellë temperatura të larta edhe gjatë dimrit, mushkonjat mund të mos e ndërpresin ciklin e tyre natyror, çka sipas tij mund të krijojë kushte për shfaqjen e “pandemisë” së rradhës.
Përtej ndërhyrjeve institucionale, Ulqinaku apeloi që edhe qytetarët të tregohen të kujdesshëm dhe të marrin masa të thjeshta mbrojtëse për të reduktuar ekspozimin ndaj mushkonjave gjatë sezonit veror./ET
