Last Updated on 20/10/2026 by EL
Maratona e Tiranës 2026 nuk do të zhvillohet këtë fundjavë, më 24 dhe 25 tetor, siç ishte planifikuar fillimisht. Organizatorët kanë njoftuar shtyrjen e aktivitetit sportiv për datat 14 dhe 15 nëntor 2026.
Vendimi është marrë për shkak të zhvillimeve të fundit në vend dhe pamundësisë për të garantuar standardet e nevojshme të sigurisë për garuesit dhe spektatorët përgjatë itinerarit të garës.
Përmes një njoftimi, organizatorët kanë theksuar se siguria e pjesëmarrësve dhe e publikut mbetet prioritet, duke e cilësuar shtyrjen si një vendim të vështirë, por të domosdoshëm.
Ndërkohë, të gjitha regjistrimet e bëra do të mbeten automatikisht të vlefshme për datat e reja, pa qenë nevoja që pjesëmarrësit të kryejnë veprime shtesë. Regjistrimet për garën do të vijojnë të jenë të hapura, ndërsa pajisjet dhe numrat e garuesve do të shpërndahen dy ditë përpara zhvillimit të aktivitetit.
Maratona e Tiranës, një prej aktiviteteve më të rëndësishme sportive të kryeqytetit, pritet të mbledhë sërish vrapues dhe sportdashës në rrugët e Tiranës në mesin e muajit nëntor./et
