Last Updated on 08/10/2026 by Klara
Moti i keq ka përfshirë disa zona të Italisë, me reshje të dendura dhe stuhi që kanë shkaktuar përmbytje, rrëzime pemësh dhe dëme materiale.
Në Toskanë është shpallur alarm portokalli, ndërsa alarmi i verdhë është në fuqi në Abruzzo, Basilicata, Campania, Friuli-Venezia Giulia, Lazio, Liguria, Lombardia, Marche, Molise, Puglia dhe Umbria.
Pas reshjeve të forta të orëve të fundit, disa bashki në Toskanë kanë vendosur të mbyllin parqet, kopshtet dhe varrezat. Në disa zona është pezulluar edhe zhvillimi i mësimit.
Shkollat janë mbyllur në Livorno, Pistoia dhe në disa qytete të tjera të provincave, ndërsa masa të ngjashme janë marrë edhe në Carrara, ku është ndaluar gjithashtu hyrja në plazhe.
Mbyllje të institucioneve dhe hapësirave publike janë vendosur edhe në disa bashki të Lunigiana, në Grosseto dhe në zona të ndryshme të Maremës.
Në Lucca, kryebashkiaku ka urdhëruar, ndër të tjera, mbylljen e mureve historike të qytetit. Në Viareggio, një pjesë e bulevardit Viale dei Tigli është bërë e pakalueshme.
Po në Viareggio, gjatë natës, moti i keq ka dëmtuar rëndë një çati kopshti fëmijësh dhe ka shkaktuar dëme në disa banesa.
Në Firence janë mbyllur parqet, kopshtet dhe varrezat, ndërsa në Prato janë marrë masa të ngjashme për kopshtet, impiantet sportive, pistat e biçikletave dhe varrezat.
Stuhi e fortë gjatë natës në Romë
Edhe Roma dhe provinca përreth janë goditur gjatë natës nga një stuhi e fuqishme.
Sipas të dhënave të zjarrfikësve, janë kryer rreth 120 ndërhyrje, kryesisht për shkak të pemëve dhe degëve të rrëzuara, shtyllave të rrjetit telefonik të dëmtuara si dhe infiltrimeve të ujit në banesa.
Salla operative e komandës së zjarrfikësve vijon të marrë kërkesa të shumta nga qytetarët, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për ndërhyrjet dhe për sigurimin e zonave të prekura.
Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën, ndërsa reshjet dhe kushtet e paqëndrueshme atmosferike pritet të vazhdojnë të ndikojnë në disa rajone të Italisë./k.m
