Last Updated on 31/10/2026 by EL
Zgjedhjet parlamentare në Izrael nuk kanë nxjerrë një fitues të qartë dhe asnjëra prej dy kampeve kryesore politike nuk duket se ka siguruar mbështetjen e nevojshme për të formuar e vetme qeverinë e re.
Kryeministri Benjamin Netanyahu dhe aleatët e tij janë në avantazh për nga numri i mandateve, por rruga drejt një shumice parlamentare mbetet e ndërlikuar. Në anën tjetër, rivali i tij kryesor, Gadi Eisenkot, synon të bashkojë forcat kundër rikthimit të Netanyahut në pushtet.
Rezultatet paraprake dhe sondazhet në dalje të votimit tregojnë një parlament të fragmentuar, ku negociatat mes partive dhe aleancat politike do të përcaktojnë se kush do ta drejtojë vendin në katër vitet e ardhshme.
Blloku i Netanyahut ka siguruar rreth 53 mandate, ndërsa kampi i drejtuar nga Eisenkot 48. 19 mandate përfaqësojnë partitë që mbështeten kryesisht nga qytetarët arabë të Izraelit, ndërsa pjesa tjetër e ulëseve ndahet mes forcave të tjera politike.
Në parlament do të përfaqësohen gjithashtu partia Together e ish-kryeministrit Naftali Bennett, me 14 mandate, dhe Demokratët, me 10 mandate.
“Çështja është se në Izrael asnjë parti nuk i fiton realisht zgjedhjet e vetme. Asnjë parti nuk ka arritur ndonjëherë të sigurojë shumicën absolute prej 61 mandatesh në parlamentin me 120 vende. Ajo që ka rëndësi është të pozicionohesh sa më mirë për të formuar një qeveri koalicioni. Kështu që na pret një proces i gjatë negociatash dhe marrëveshjesh politike për krijimin e koalicionit”,pohoi Yossi Mekelberg, eksperti për Lindjen e Mesme.
Sistemi zgjedhor izraelit e bën veçanërisht të vështirë krijimin e një shumice të qëndrueshme. Partitë duhet të kalojnë pragun elektoral prej 3.25 për qind për të siguruar përfaqësim në Knesset, ndërsa mandatet shpërndahen në bazë të votave në rang kombëtar.
Në këtë situatë, edhe partitë e vogla mund të marrin një rol vendimtar, duke u kthyer në përcaktuese të fatit të qeverisë së ardhshme.
“Ky është një proces politik interesant. Pasi publikohen rezultatet, presidenti fton drejtuesit ose përfaqësuesit e të gjitha partive për konsultime lidhur me personin që ata mendojnë se duhet të ngarkohet për formimin e koalicionit. Kandidati që konsiderohet se ka më shumë mundësi për të krijuar qeverinë merr 28 ditë kohë. Nëse ia del, paraqet qeverinë e re në Knesset. Nëse dështon, mund t’i kërkojë presidentit edhe 14 ditë shtesë. Nëse edhe kjo përpjekje dështon, presidenti nis një raund të ri konsultimesh dhe mund t’i japë një kandidati tjetër mundësinë për të formuar qeverinë. Nëse asnjë përpjekje nuk rezulton e suksesshme, skenari më i mundshëm janë zgjedhjet e reja”, u shpreh Mekelberg.
Megjithatë, një shumicë prej 61 deputetësh nuk është domosdoshmërisht e vetmja rrugë drejt formimit të qeverisë. Sipas ekspertit, ekziston edhe mundësia e një qeverie minoritare, nëse ajo siguron mbështetje të mjaftueshme nga jashtë koalicionit dhe nuk përballet me shumicën e votave kundër në parlament.
“Një qeveri mund të formohet nga kushdo që ka mbështetjen e 61 deputetëve, por edhe nga një qeveri minoritare, nëse nuk ka 61 deputetë që e kundërshtojnë. Duke parë rezultatet aktuale, ekziston mundësia e krijimit të një qeverie minoritare kundër Netanyahut. Blloku i ndryshimit mund të vendosë të mos krijojë zyrtarisht një koalicion me partitë arabe, por të ketë mbështetjen e tyre, nëse objektivi kryesor është të mos lejohet rikthimi i Netanyahut në pushtet”, deklaroi Mekelberg.
Këto zgjedhje konsiderohen veçanërisht të rëndësishme për të ardhmen politike dhe institucionale të Izraelit. Katër vitet e fundit janë shoqëruar me përplasje të forta politike, protesta masive kundër reformës në drejtësi dhe kritika për përpjekjet e qeverisë për të dobësuar pavarësinë e institucioneve gjyqësore.
Më pas, sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 dhe masakra ndaj civilëve izraelitë e vendosën qeverinë Netanyahu përballë një prej krizave më të rënda të sigurisë në historinë e vendit.
Përgjegjësia politike për dështimin në parandalimin e sulmit mbetet një nga çështjet kryesore të debatit publik.
“Shumë prej nesh e konsideruan këtë si zgjedhjet më të rëndësishme për Izraelin. Në katër vitet e fundit, mandati i kësaj qeverie nisi me përpjekjet për të cenuar themelet demokratike të vendit. Kjo shkaktoi protesta të përjavshme me qindra mijëra njerëz në rrugë dhe kundërshtime ndaj sulmit mbi sistemin gjyqësor. Më pas erdhi katastrofa e 7 tetorit, sulmi dhe masakra e Hamasit. Përgjegjësia për mbrojtjen e qytetarëve i takon gjithmonë qeverisë dhe qeveria dështoi rëndë. Ajo duhet të mbajë përgjegjësi për këtë”, tha eksperti.
Ndërkohë, sfidat e sigurisë mbeten të hapura. Lufta në Gaza dhe tensionet me Iranin përbëjnë çështje që kërkojnë vendimmarrje të menjëhershme.
Një tjetër temë e ndjeshme është rekrutimi i të rinjve ultraortodoksë në ushtri, si dhe krijimi i një komisioni hetimor për dështimet që paraprinë sulmin e 7 tetorit.
“Pavarësisht premtimeve për fitore absolute në Gaza apo për eliminimin e kërcënimit iranian, të gjitha këto fronte mbeten ende të hapura. Ushtria izraelite mbështetet te rezervistët dhe disa prej tyre kanë shërbyer më shumë se 500 ditë gjatë tre viteve të fundit. Kjo është një pjesë shumë e madhe e jetës së tyre. Ka edhe çështjen e rekrutimit të të rinjve ultraortodoksë dhe mungesën e një komisioni hetimor për atë që ndodhi më 7 tetor. Janë shumë probleme që duhet të trajtohen, por për këtë nevojitet një qeveri e qëndrueshme, e aftë dhe që gëzon mbështetjen e Knessetit dhe, për rrjedhojë, të qytetarëve”, pohoi Mekelberg.
Rezultatet zyrtare parashikohet të publikohen më 4 nëntor. Deri atëherë, Izraeli mbetet në pritje të një formule politike që mund t’i japë vendit një qeveri të re.
Për Benjamin Netanyahun, sfida nuk është vetëm të dalë si forca me më shumë mandate, por të bindë partnerët e mundshëm për të siguruar shumicën. Për opozitën, detyra është të kapërcejë dallimet mes partive dhe të ndërtojë një alternativë të përbashkët.
Në një parlament ku çdo mandat mund të ndryshojë ekuilibrat, negociatat e ditëve dhe javëve në vijim do të jenë vendimtare./et
