Deputeti i PD-së, Saimir Korreshi ka publikuar në rrjetet e tij sociale një tjetër denoncim nga terreni, ku ka zbuluar një situatë alarmante mjedisore në Savër të Lushnjës.
Në pamjet e publikuara, Korreshi e quan “batërdi”, një zonë e stërmbushur me mbetje të të gjitha llojeve, nga gomat e makinerive, mbetje inerte, plastike, e deri te pajisje hidrosanitare dhe mobilie të hedhura pa asnjë kriter.
Deputeti ironizon faktin se qytetarët paguajnë taksa për pastrim, gjelbërim e madje edhe për incinerim, por në realitet përballen me një “incenerator” të hapur që ndot ajrin dhe tokën.
Sipas tij, kjo katastrofë ndodh në zemër të Myzeqesë, pranë “Lumit të Zi” që vadit tokat bujqësore të zonës dhe fare pranë autostradës kryesore.
Situata bëhet edhe më dramatike kur kamera fokuson vatrat e zjarrit, ku mes flakëve dallohen arka perimesh, shishe dhe mbetje të tjera organike e joorganike, duke çliruar në ajër substanca toksike dhe të rrezikshme për shëndetin e banorëve. /kb
