Nga Grigels Muçollari
Pas 13 vitesh pushtet, qeveria është zbrazur edhe nga fantazia dhe, në kuadër të fajësimit të të tjerëve për dështimet e veta, tanimë ka kaluar në klishe që, duke i përsëritur pa ndërprerje, mendon se do të ngjisin. Klasikja është demonizimi i PD, sikur prej saj po vijnë problemet. Rama ka qejf të thotë se ata shajnë qeverinë anglisht tek të huajt.
Rekomandimet e saj do të ishin të vlefshme për një qeveri, nëse ajo pretendon se përfaqëson interesat e publikut dhe të vendit. Një qeveri e përgjegjshme do t’i merrte ato dhe do të përpiqej t’i adresonte. Por Edi Rama edhe kësaj radhe do ta trajtojë si fletërrufe të aleatëve të PD.
IDU shprehet e shqetësuar për pengimin e drejtësisë, për mbajtjen e imunitetit të qeverisë në hetimet e aferave të mëdha, për lidhjet e krimit me pushtetin, për zgjedhjet që nuk janë të lira e të ndershme.
Rama, që hiqet si aktor i madh në skenën ndërkombëtare, kur vjen puna te qëndrimet kritike mbyll veshët, sillet si i izoluar, si sovranist, sikur ato nuk kanë rëndësi. Mirëpo mezi pret kur shfaqet një fjali në ndonjë studim, sado periferik, të ndonjë organizate që flet mirë për qeverinë, që ta marrë e ta pompojë me zhurmë në hapësirën e tij të gjerë mediatike.
Shembulli konkret ishte në gjetjet për lirinë e shtypit. Teksa thuhen të gjitha kthimet mbrapa, flitet për censurë, presion, ndërhyrje dhe humbje pikësh, Kryeministri kapi një paragraf që vlerësonte ngritjen e agjencisë për informim.
Asnjë fjalë nuk tha për gjithë raportin që e nxjerr kryeredaktorin e medias në vend, ndërsa mbushi ekranet me ato dy fraza për agjencinë e tij. Këto kontradikta janë sjellja e tij e zakonshme.
Po përtej kësaj, rezoluta e IDU është një fotografi e realitetit të dhimbshëm në vendin tonë dhe një ftesë për të gjithë ne që të ngrihemi e ta ndryshojmë atë.
Duke nisur me takimin tonë të madh të 8 majit. /kb
