Mateo Borri ka dhënë intervistën e tij të parë pas përfundimit të “Big Brother VIP 5”, duke ndarë mendimet për lojën në shtëpi dhe për raportin me Brikenën, që vijon edhe jashtë spektaklit.
I ftuar në “Ftesë në 5”, ai u shpreh se gjatë gjithë eksperiencës nuk ka ndjekur asnjë strategji të caktuar, por ka zgjedhur të jetë i njëjti si në jetën e përditshme. Sipas tij, autenticiteti është mënyra më e mirë për të ecur përpara në një format të tillë.
“Nuk kam luajtur rol. Kam qenë thjesht vetja ime. Nëse dikujt i jam dukur ndryshe, kjo është sepse nuk më njihnin. Nuk kam ndërtuar skema apo plane, gjithçka ka qenë e sinqertë,” u shpreh Mateo, duke shtuar se shpesh debatet në shtëpi vinin nga ekzagjerimet dhe jo nga realiteti.
Ai preku shkurt edhe marrëdhëniet me banorët e tjerë, duke theksuar se gjithmonë ka pasur bindjen për rrjedhën e finales, ndërsa për Selin shprehu vetëm urime pozitive.
Një pjesë e rëndësishme e intervistës ishte lidhja e tij me Brikenën. Mateo tregoi se ndjenjat për të kanë qenë të forta që në fillim dhe se raporti i tyre është forcuar edhe më shumë jashtë shtëpisë. Ai theksoi se tashmë janë të fokusuar te planet për të ardhmen, duke preferuar të mbajnë jetën private larg vëmendjes së tepërt.
“Me Brikenën po shohim përpara. Gjërat tona i diskutojmë vetëm mes nesh. Është një marrëdhënie që po rritet çdo ditë,” tha ai.
Mateo ndau edhe një moment të veçantë nga fillimet e njohjes, kur i kishte shprehur ndjenjat për herë të parë në mënyrë të thjeshtë, por domethënëse. Ndërkohë, ai theksoi se familja e tij e ka mbështetur plotësisht këtë lidhje, sidomos nëna, e cila sipas tij është e lumtur për zgjedhjet e tij.
“Tani jam një burrë i martuar dhe prioritetet kanë ndryshuar. E rëndësishme është që ne të jemi mirë bashkë,” përfundoi Mateo./mxh
